E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Armëpushim” në Hamallaj, 1 ditë pas betejës me policët



Nga Hamallaj, Oerd Ulqini

Një ditë pas aksionit të Inspektoratit të Ndërtimit në Hamallaj situata është më e qetë. Këtu ka ndikuar edhe tërheqja e policisë, pas përplasjeve me banorët në urën e Hidrovorit. Megjithatë gjurmët e “gueriljes rurale” gjenden ngado. Lajmi i përleshjeve ka marrë dhenë dhe ndonëse është shumë vapë, plazhi i virgjër është tërësisht i braktisur nga pushuesit e shumtë ditorë që vijnë këtu nga Durrësi dhe Tirana. Lajmet e shumta mbi Hamallajn kanë trembur çdo këmbë turisti, duke i dhënë kësaj mrekullie buzë Adriatikut një pamje të zymtë. Rrugës për në fshat syri të sheh makina me xhama të thyer dhe copa gurësh të hedhura sa andej-këndej. Banorët tregojnë për “Panorama” dokumentet e legalizimit të Bashkisë së Sukthit dhe të ALUIZNI-t të Durrësit. Ata thonë se “shtëpitë janë në proces legalizimi dhe nuk mund të shemben, pasi kanë depozituar për këtë edhe pagesat për legalizimin e pronave”. Në fshatrat Hamallaj dhe Hidrovor gjenden afro 480 shtëpi, të cilat janë ndërtuar 500 deri në 1500 metra larg bregut të detit. Përjashtim bëjnë 3-4 lokale bregdetare, të cilat më së shumti u ngjajnë kioskave apo barakave. Banorët shprehen se “të gjitha shtëpitë janë në proces legalizimi, pasi janë ndërtuar në fund të viteve ‘90-të”. Ndërkohë në një deklaratë të tijën kryebashkiaku i Sukthit, Hyrjan Hasani, garantoi komunitetin se “shtëpitë që janë në proces legalizimi nuk do të shemben”. Banorët shprehen se “ishte e para policia, ajo që qëlloi mbi ta”. Sipas tyre, reagimi i mëvonshëm i komunitetit duke bllokuar rrugën ishte një masë mbrojtëse. Nga ana tjetër banorët e fshatit Hamallaj kërkojnë lirimin e të arrestuarve, pasi ata mbrojtën shtëpitë e fëmijëve të tyre.
Agim Mali është një mirditor 28 vjeç, i cili banon në Hamallaj që nga viti 2000. Me shumë mund dhe sakrifica ai ka ndërtuar një shtëpi modeste prej 70 metrash katrorë, e cila gjendet në breg të kanalit të Hidrovorit, afro 1000 metra larg detit. Në pjesën e sipërme të tarracës valëvitet flamuri i PD-së. “Shtëpinë e kam ndërtuar në vitin 2000. Shtatë pjesëtarë të familjes sime jetojnë në një shtëpi të vogël prej 70 metrash katrorë. Që në fillim të procesit të legalizimit kam nisur procedurën për shtëpinë time. I kam letrat në rregull si nga Bashkia e Sukthit, ashtu edhe nga ALUIZNI i Durrësit. Këtë shtëpi jam i vendosur ta mbroj deri në fund, pasi unë dhe familja ime nuk kemi ku të fusim kokën”, thotë Agim Mali për gazetën. Ai ka mbetur i lënduar nga përleshja me policinë dhe tregon shenjat e dëmtimeve në bark dhe krah.
Fqinj i afërt me mirditorin është edhe Zef Jaku. Tashmë ai është 38 vjeç dhe ka tre fëmijë, të cilët kanë lindur të gjithë në Hamallaj. Zef Jaku ka mbërritur në Hamallaj-Hidrovor që në vitin 1992, duke ardhur nga Puka me dëshirën e një jete më të mirë në rrethinat e Durrësit. Ai ka blerë me kursimet e një jete një kazermë të braktisur ushtrie, të cilën e ka përshtatur si banesë. “Edhe unë kam nisur legalizimin e shtëpisë dhe për këtë kam me vete letrat me vulat dhe firmat e ALUIZNI-t. Muret e shtëpisë sime kanë qenë ekzistuese që nga koha e repartit ushtarak. Ndërtesa ndodhet 800 metra larg detit. Pak javë më parë mua dhe të tjerëve na ka ardhur letra për t’u shembur banesa. Kjo është e pabesueshme, pasi vërtetohet fare lehtë që kjo shtëpi ku unë banoj është ndërtuar në vitin 1975 gjatë kohës kur këtu u vendos ushtria. Shtëpia ime është e mbështetur në ligj”, tha Zef Jaku.

“Hamallaj”, pranga gardianit të paraburgimit të Durrësit

DURRES - Dhunë ndaj policisë në Hamallaj, arrestohet gardiani i burgut të Durrësit. Gazmir Hasanpapaj, 34 vjeç, u prangos mëngjesin e djeshëm, pak minuta sapo ai ishte paraqitur për të marrë shërbimin në burg. Efektivë të policisë së Durrësit janë paraqitur aty dhe i kanë komunikuar atij prangosjen në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga policia gjyqësore. Burime të Policisë së Durrësit pohuan se Hasanpapaj ishte filmuar gjatë përleshjes së dy ditëve më parë mes banorëve të Hamallajt me efektivët e FNSH-së, gjatë tentativës së këtyre të fundit për të hyrë në fshat në ndihmë të Ndërtimorëve që do prishnin objektet pa leje. Kamera e policisë kishte fiksuar fytyrën e gardianit, i cili ishte pjesë e turmës që qëlloi me sende të forta dhe bomba molotov policët specialë. Pas analizimit të filmimeve dhe identifikimit të gardianit Hasanpapaj, policia gjyqësore lëshoi urdhër-arrestin për të nën akuzat: “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “pengim i mjeteve të transportit”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”. Po kështu, sipas policisë së Durrësit, nën të njëjtat akuza u prangos edhe 44-vjeçari Bujar Hysa, banues në Hamallaj. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›