Oficerët e rremë të Interpolit mashtrojnë 100 qytetarë
Etleva Delia
Dy persona që pretendonin në mënyrë të rreme se ishin oficerë të Zyrës së Interpolit Ndërkombëtar, kanë mashtruar mbi 100 qytetarë me pretendimin se do i punësonin si agjentë. Policia tha dje se dy mashtruesit janë arrestuar gjatë operacionit "Agjenti i rremë" pas një hetimi 2-mujor ndaj tyre. Aksioni i zhvilluar nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Njësia Task Force në Prokurorinë e Tiranës, u finalizua me arrestimin në flagrancë të dy "agjentëve" të rremë me akuzën e "mashtrimit" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Fatmir Fllaga, 55 vjeç dhe Adrian Ura, 26 vjeç janë arrestuar në flagrancë nga policia. Ata u ndaluan në ambientet e disa zyrave fiktive, që ata kishin krijuar në Tiranë si një drejtori që financohej nga Italia dhe që ndodhej në rrugën "Sulejman Delvina". Duke u prezantuar si përfaqësues të zyrës së Interpolit Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, dy të arrestuarit kishin mundur të mashtronin rreth 100 qytetarë, të cilëve u premtonin se do t'i punësonin si agjentë të Interpolit. Për punësimin në këtë zyrë të padëgjuar më parë, të arrestuarit kërkonin nga 2 mijë euro për çdo person që ishte i interesuar për t'u bërë "agjent".
Agjentët e rremë
Fatmir Fllaga dhe Adrian Ura, të arrestuarit e operacionit "Agjenti i rremë", kishin krijuar një drejtori fiktive, me zyra dhe staf të kompletuar, për të bindur qytetarët që mashtronin se punësimi i tyre do të ishte real. Në "stafin" e kësaj drejtorie bënin pjesë në të vërtetë vetëm dy personat e arrestuar, ndërsa personat e tjerë kishin vetëm emrat të shënuar në dokumente të falsifikuara dhe asnjë prej tyre nuk ekzistonte realisht. Ata u prezantoheshin qytetarëve të interesuar për të filluar punë, sikur drejtoria e tyre financohej nga shtetas të huaj dhe drejtor i përgjithshëm ishte një shtetas italian, me emër të rremë, Romollo Berluskoni. Personat që binin pre e mashtrimeve të tyre, pasi paguanin shumën e parave që ata u kërkonin, menjëherë pajiseshin me dokumente identifikimi dhe pasaporta diplomatike, të cilat të gjitha ishin të falsifikuara. Në momentin e arrestimit dy personave të dyshuar iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat i përdornin për kryerjen e falsifikimeve dhe mashtrimeve. Përgjatë dy muajve që policia e prokuroria kanë hetuar veprimtarinë e jashtëligjshme të dy personave të arrestuar, janë verifikuar të paktën 100 raste mashtrimesh, por nuk përjashtohet mundësia që viktima të kësaj skeme mund të kenë rënë edhe persona të tjerë.