E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimbjet kronike, vuajnë 15 për qind e shqiptarëve



Rreth 15% e shqiptarëve vuajnë nga dhimbjet kronike të sëmundjeve prej të cilave janë prekur. Shifrat u bënë publike dje gjatë simpoziumit shkencor ndërkombëtar, mbi mekanizmat e dhimbjes neuropatike dhe dhimbjes fantome. “Dhimbjet neuropatike për Shqipërinë janë aq shqetësuese sa janë për gjithë boten. Janë rreth 15% e pacientëve, të cilët, në një mënyrë ose një tjetër ankohen për një sëmundje të caktuar nëpërmjet dhimbjes. Në fakt ajo shprehet me dhimbje neuropatike”, tha Apostol Vaso, anestezist. Simpoziumi shkencor u përshëndet edhe nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai u shpreh se aktivitete të tilla do të nxjerrin konkluzione të rëndësishme, për sa i përket dhimbjes kronike dhe problemeve të saj. “Shpresoj se në simpoziumin e ardhshëm, duke folur pikërisht në këto mjedise ne do kemi mundësi që të demonstrojmë rezultate të tjera, por dhe qëllime të reja të rëndësishme në pikëpamje jo vetëm shkencore, por edhe organizative, në mënyrë që problemi të vendoset si duhet dhe të bashkëjetojë me disiplina të tjera klinike”, u shpreh Vasili. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Boshard, i cili u shpreh se Qeveria e tij do të vazhdojë të ndihmojë strukturat shëndetësore shqiptare për të eliminuar dhimbjet neuropatike, por edhe për të ndihmuar sistemin shëndetësor në përgjithësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›