E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, 20% e të rinjve çdo ditë në “Fast-food”

• Për komoditet, por pa lënë mënjanë dhe shijen “Fast food”-et janë kthyer në ushqimin e preferuar të të rinjve shqiptarë.

ZIRINA LLAMBRO

Pasojat sipas dietologëve, nuk janë vetëm disa kile më shumë. Konsumi i përditshëm i ushqimeve të thata, rrit riskun për shfaqjen e një sërë sëmundjesh vite më vonë. Të cilësuar si “bomba kalorike”, për faktin se nuk kanë sasi të madhe, por tepri kalorish, janë pikërisht ushqimet që duhet të shmangen sa më shumë nga e gjithë popullata. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik janë përpjekur disa herë të raportojnë shifra për të evidentuar problemin. Në studimin e fundit të ISHP, ka rezultuar se 20% e nxënëseve të shkollave të mesme të vendit konsumojnë çdo ditë hamburgerë, sanduiçë e pica, ndërsa 4% e tyre këto ushqime i përdorin 3 herë në ditë. Pjesa e studimit janë bërë 1040 nxënës nga gjimnazet e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Sipas specialistëve, qëllim i kësaj analize është nxjerrja në pah e stilit të të ushqyerit tek brezi i ri, si dhe faktorët socialë dhe ekonomikë që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ushqimeve që ata marrin. Nga të dhënat, 20.2% e të rinjve konsumojnë ushqime të tipit “fast food”, 2-4 herë në javë, kundrejt 7.4% prej tyre që këto ushqime i konsumojnë 5-6 herë në javë. Më shumë konsum “Fast-food”, kanë nga të rinjtë e Tiranës. Kjo për shkak të gjendjes ekonomike më të mirë në krahasim me familjet e rretheve të tjera. Vitaminat, ndonëse tepër të rëndësishme për organizmin, janë përdorur vetëm nga 30% e të rinjve. Edhe në shtëpi ushqimet e skuqura mbeten më të preferuarat, falë kuzhinës tradicionale të vendit tonë, e cila ndikon jo pak në kultivimin e shijeve. Rreth 96% e gjimnazistëve pohojnë se përdorin ushqime të skuqura. Kurse rreth 16% e të rinjve shqiptarë pohojnë se, nuk kanë ngrënë gjatë një viti asnjëherë peshk. Megjithatë sipas studimit, të rinjtë  preferojnë frutat, një gjë mjaft pozitive kjo për organizmin. Gati 4/5 e të intervistuarve në total, raportojnë se shtojnë kripë në ushqim. Të rinjtë në Tiranë e konsumojnë kripën në ushqim më shumë sesa të rinjtë në Shkodër apo Vlorë. Por sidoqoftë, mesatarja kalorike për frymë në Shqipëri është më e ulëta në Evropë. Dieta ushqimore në zonat jugore të vendit është e pasur në vaj ulliri, fruta dhe perime, ndërkohë që në zonat veriore është e pasur me yndyrna me origjinë shtazore. Ky mund të jetë njëri nga shkaqet që sëmundshmëria në këto zona është më e lartë. Sipas rekomandimeve të specialistëve të ISHP, prindërit duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj praktikave dhe stilit të ushqyerjes së fëmijëve. Ata duhet të ushtrojnë më shumë kontroll dhe t’u “imponojnë” atyre konsumin e shpeshtë të frutave dhe perimeve, shmangien e produkteve “fast food”, konsumin e bukës së zezë në vend të bukës së bardhë, pasi ka më tepër vlera ushqyese për organizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›