E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-konsulli francez, Hekardi, tregon Shqipërinë e Epërme

“Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë se Epërme ose i Gegërisë”, vepra e hartuar dhe botuar 150 vjet në parë, sjell fakte të reja për Shqipërinë. 

ANILA MEMA

Ish-konsulli francez në Shkodër, Luigj Iasinth Hekardi, (1814-1866) ka shkruar këtë vepër madhore, me një stil të zhdërvjellët dhe me përshkrime e ngjyra të gjalla. Vepra e cila këto kohë mbush 15 dekada nga botimi i parë në shqip përmbledh shumë dëshmi, hulumtime, përkthime dhe botime dokumentesh të rëndësishme. E afërmendsh që ka pasur edhe pasaktësi, të cilat në përkthimin e mëvonshëm prej shkencëtarit të shquar Injac Zamputi, është mundësuar saktësimi i një sërë faktesh e datash. Megjithatë faktet që na sjell Hekardi, ish-konsulli francez, shumica e tyre janë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke iu ofruar kështu të gjithë albanologëve shqiptarë, etnografë, folkloristë e gjuhëtarë, sikurse edhe të gjithë të interesuarve për kulturën shqiptare një vepër të realizuar mirë. Përshkrimi gjeografik i Shqipërisë së Epërme është bërë sipas një metode mjaft të njohur në Evropë, por që është ende foshnjë në Shqipëri, gjeografi rajonale. Ndërkaq, një interes të veçantë vepra paraqet edhe për etnologët, ku mund të gjejnë fakte të ndryshme të përshkruara me syrin objektiv të autorit, i cili gati-gati ka qenë i dashuruar me Shqipërinë, me doket e zakonet shqiptare, me lindjen dhe vdekjet, pagëzimet e martesat, ushqyerjen dhe jetesën në përgjithësi. Ndërsa një tjetër kapitull i veçantë për folkloristët është “Kënga shqiptare”. Edhe pse disa prej tyre janë botuar dhe në disa versione, në gjuhën shqipe këto këngë i janë dhënë autorit nga Zef Jubani, e janë përkthyer me shumë besnikëri e pasion. Po aq përshkruhet edhe historia e kishës shqiptare, e cila paraqitet dhe dëshmi rrëqethëse të autorit. “Vepra e Hekardit” është një thesar që zbulohet vonë për lexuesin shqiptar në 150-vjetorin e botimit të saj në frëngjisht”, shkruhet në parathënien e veprës që përmban plot 520 faqe. Ndërkohë nuk dihet me saktësi se kur dhe për sa kohë ka qëndruar Hekardi si konsull francez në Shkodër, pasi informacionet janë të pakta. Vetë autori përmend një periudhë pesëvjeçare të qëndrimit të tij në Shqipëri, ndërsa dihet me siguri se asokohe ai është shoqëruar nga udhëtimet e tij nga Zef Jubani, i quajtur ndryshe edhe Zef Ndok Illija dhe nga Halil Kopliku. Burime të njohura si Farlati, Barleti, gojëdhënat dhe të dhënat të mbledhura prej misionarëve që punonin asokohe në malet shqiptare apo prej vetë prijësve të fiseve janë baza e hartimit të veprës. Një kontribut të çmuar ka dhënë në mënyrë të veçantë Zef Jubani, i cili pohon edhe vetë se Hekardi e kishte përshkruar Shqipërinë e Epërme të asaj kohe “mbi gjurmët e veprës së tij të pabotuar”. Por janë faktet e mbledhura dhe ngjarjet e përjetuara nga vetë autori, që e bëjnë këtë vepër një dëshmi të gjallë të fillimit të gjysmës së dytë të shekullit XIX. 

Të dhënat
Titulli: Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë
së Epërme ose Gegërisë
Autori: Luigj Iasinth Hekardi
Botoi: Plejad
Përktheu: Oriana Tamburi
Faqe: 520
Çmimi: 1250 lekë

Kryeministri islandez prek rrënojat antike në Durrës

Kryeministri islandez Geir H. Haarde, i shoqëruar nga ministri Ylli Pango ka kryer një vizitë në Durrës. Në fokusin e kësaj vizite ka qenë njohja me qytetërimin e lashtë të Durrësit, si një qendër mjaft e njohur në rajonin e Mesdheut. Kreu i qeverisë islandeze shprehu vlerësimin e tij maksimal për këto thesare arkeologjike. Nga ana e tij ministri Ylli Pango tha se: “Turizmi arkeologjik dhe historik po shënon rritje të vazhdueshme vit pas viti në Shqipëri”. Kryeministri i shtetit të Islandës është ndalur me mjaft interes në Muzeun arkeologjik të qytetit dhe në amfiteatër. Geir H. Haarde vizitoi të gjitha vitrinat e Muzeut Arkeologjik, të cilat në etapa të ndryshme kohore pasqyrojnë zhvillimin e qytetërimit ilir. Më pas, Haarde dhe Pango u ndalën tek rrënojat e amfiteatrit romak. Ata vizituan me shumë interes galeritë e nëndheshme të tij. Durrësi është qyteti ku veç kulturës së vendasve ilirë mund të dallosh qartë gjurmët e qytetërimit helen dhe atij romak. Për ministrin Pango qyteti ka nevojë që të sponsorizohet në perëndim, pasi vetëm kështu do të përballeshim me “bumin” e turistëve të apasionuar pas arkeologjisë dhe historisë. Kryeministri islandez së bashku me ministrin Ylli Pango ka vijuar më pas shëtitjen pranë mureve bizantine të qytetit bregdetar.                                o.u

“Mirush”, shqiptari që luan në filmin norvegjez

Festivali ndërkombëtar i filmit në Durrës ka hyrë në fazën më emocionuese. Me transmetimin e filmit norvegjez “Mirush”, është publikuar gjysma e filmave të shfaqur deri më tani. Përmes një konference për shtyp adoleshenti shkupian Nazif Muharremi, bën me dije se ka arritur me shumë punë të bëhet njësh me personazhin Mirush. Për studentin e vitit të tretë në Gjimnazin Ekonomik të Shkupit, ky ka qenë roli i parë në kinematografi. Megjithatë në premierën e tij artistike ai ka ditur të dhurojë emocionet e një artisti profesionist. Ashtu sikurse ndodh gjithnjë në jetë edhe në art duhet të kesh pak fat. Krejt rastësisht Nazifi është takuar me regjisorin norvegjez të filmit Marius Holst, i cili duke parë tek shkupjani aftësi të mira nuk ka nguruar t’i bëjë atij ofertën. Fabula e filmit është e thjeshtë. Mirushi një emigrant kosovar, provon fatin e tij në kryeqytetin norvegjez Oslo. Ai hyn në punë tek restoranti, i cili administrohej nga i ati i tij, por Mirushi nuk i tha kurrë pronarit se ai ishte i biri. Filmi karakterizohet nga emocione të forta dhe nga një jetë e shthurur e babait. Premiera e këtij filmi në Durrës solli duartrokitje të forta të publikut, duke e bërë “Mirush”-in një pretendent serioz për “Gladiatorin e artë”.         o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›