E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët, siguri për Kosovën

Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit Amerikan, Tom Casey, ka thënë se ishte “politika e qeverisë së Shteteve të Bashkuara njohja e pavarësisë së Kosovës” dhe ka ritheksuar se edhe ndihma dhe furnizimi në armatim është pjesë e planit për aftësimin e forcave të saj që të funksionojnë të pavarura.  Zëdhënësi i dha këto përgjigje i pyetur të komentonte vendimin e para dy javëve të presidentit George Bush për të furnizuar me armatim Kosovën dhe forcat e saj të sigurisë. “Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe këtë e kanë bërë edhe shumë vende të tjera në botë. Një pjesë e planit “Ahtisari” kërkon që të sigurohet aftësia e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe forcat e sigurisë, që të mund të funksionojnë të pavarura dhe të kryejnë detyrat e plota të një qeverie të pavarur. Kjo është politika që mbështesim ne”, tha Casey. I pyetur që të komentonte një deklaratë të ish-sekretarit të Shtetit, Lawrence Eagleburger, dhënë një gazete greke, se pavarësia e Kosovës na qenka një hap i parë drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe, zëdhënësi i politikës së jashtme amerikane tha se nuk dinte për një skenar të tillë. “Unë nuk kam njohuri nëse dikush këtu apo atje ka propozuar ndonjë Shqipëri të Madhe”, tha Casey. Ai shtoi se gjëja më e mirë për ish-zyrtarët si Eagleburger, është se ata janë qytetarë privatë dhe mund të flasin çfarë të duan. “Mirëpo ju e dini politikën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara e ajo është njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha ndër të tjera zëdhënësi Tom Casey.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›