E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kujdes me KESH-in

Fondi Monetar ka ngritur sërish shqetësimin mbi sektorin energjetik, duke kërkuar që rritja e çmimit të shoqërohet me masa të tjetra për të frenuar humbjet në këtë sektor. Më konkretisht, Fondi Monetar i ka kërkuar qeverisë që reformën në sektorin energjetik ta ketë prioritare, kjo për të mos vënë në rrezik financat, por edhe sigurimin me energji. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe kryetari i radhës i bordit ekzekutiv për vendin tonë, Murilo Portugal, i ka kërkuar korporatës që të rrisë nivelin e arkëtimeve dhe të reduktojë humbjet e energjisë në rrjet. Po ashtu, Fondi Monetar që nga viti 2009 e në vazhdim nuk do të lejojë që deficiti buxhetor të kalojë pragun e nivelit të 4 për qind. Kjo masë do të sigurojë që borxhi i qeverisë të mos shënojë rritje, si dhe të shmangen rreziqet nga inflacioni. Për sa i përket inflacionit, Fondi Monetar ka nënvizuar se thatësira dhe rritja e çmimeve kanë mbartur rreziqe inflacioniste. “Një reformë e qëndrueshme e sektorit të energjisë elektrike është një prioritet, pasi do të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve ndaj kuadrit makroekonomik dhe do të kufizonte humbjet gati fiskale. Arkëtimet duhet të përmirësohen, humbjet në rrjet duhet të pakësohen dhe tarifat të rriten. Rritja e tarifave në mars ishte një element fillestar i rëndësishëm, por përpjekje të tjera janë të nevojshme për të frenuar humbjet gati fiskale të sektorit, si dhe për të përmirësuar shanset për një privatizim të suksesshëm të kompanisë së shpërndarjes që synohet për vitin 2008, si dhe për të siguruar furnizim të sigurt me energji në afatin e mesëm”, tha Portugal rreth sektorit energjetik, duke shtuar se probleme të thella dolën përsëri në krye. Po ashtu, në deklaratën e tij Portugal ka pohuar se kuadri fiskal afatmesëm i autoriteteve i balancon në mënyrën e duhur nevojat për shpenzime shtesë për infrastrukturë dhe zhvillim, me shqetësimet për stabilitet makroekonomik, duke synuar njëkohësisht të zvogëlojë rolin e qeverisë dhe të krijojë një mjedis nxitës për aktivitetin e sektorit privat. Autoritetet kanë ndërmend të miratojnë një tavan për deficitin jo më të lartë se 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2009 dhe vitet në vazhdim. Kjo duhet të sigurojë një garanci të besueshme për politikën fiskale në afatin e mesëm dhe të japë siguri shtesë se trajektorja në rënie e borxhit publik do të ruhet, si dhe të japë një mbështetje të mirëpritur për politikën monetare në mbajtjen të ankoruara të pritshmërive për inflacionin. Sipas FMN-së, kuadri aktual i politikës monetare, i bazuar në një bankë qendrore të pavarur me një kurs këmbimi të luhatshëm lirisht, i ka shërbyer mirë ekonomisë dhe mbetet i përshtatshëm. Veprimet në kohën e duhur të autoriteteve gjatë vitit të kaluar kanë ndihmuar në përmbajtjen e pritshmërive të inflacionit, pavarësisht presioneve nga thatësira dhe çmimet më të larta botërore për ushqimet dhe energjinë. “Kufizimet në efektshmërinë e politikës monetare kanë kërkuar rregullore dhe masa mbikëqyrëse shtesë dhe është e rëndësishme që kapaciteti rregullues dhe i mbikëqyrjes tashmë në një nivel relativisht të lartë, të vazhdojë të përmirësohet në linjë me maturimin e shpejtë të tregjeve financiare”, pohon Murilio. Përmbushja nga ana e Shqipërisë e politikave të matura makroekonomike dhe strukturore ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e fortë makroekonomike, pavarësisht sfidave të një mjedisi të jashtëm të vështirë. Në vitin 2007, rritja ekonomike u përmirësua dhe inflacioni mbeti në intervalin e synuar, me gjithë thatësirën dhe çmimet në rritje për produktet ushqimore dhe energjinë. Axhenda strukturore ka bërë përparime, sidomos në fushën fiskale, ndërsa programi i privatizimit është në prag të përfundimit. Megjithatë, probleme të thella në sektorin e energjisë dolën përsëri në krye.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›