E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq paralizon Shqipërinë

Bllokohen portet në qytetet bregdetare të Durrësit dhe Vlorës. Në Vlorë deti shënoi dje valëzimin deri në 8 ballë. Situata e rëndë për kalimtarët në rrugët e përmbytura

Duket se emigrantët që erdhën me tragete në Shqipëri, me rastin e pushimeve për festën e Pashkëve, do ta kenë pak të gjatë qëndrimin me të afërmit e tyre, më tepër për shkak të kushteve atmosferike, sesa dëshirës. Situata e rënduar meteorologjike bllokoi dje portin e Vlorës dhe atë të Durrësit, bashkë me ankorimin dhe përpunimin e anijeve e trageteve. Tragetet qëndruan në radë, duke pezulluar kështu nisjet e programuara për ditën e sotme, ndërsa anijet që ndodheshin në lundrim janë drejtuar me shpejtësi drejt vendstrehimeve. Në portin e Vlorës, mungesa e energjisë elektrike distancoi komunikimin midis kapitenerisë dhe anijeve, pasi radari-monitor bashkë me disa prej radiove ndërlidhëse me gjatësi vale u shkëputën. Sipas burimeve të kapitenerisë në portin e Durrësit, bëhet me dije se nuk është bërë e mundur dalja në det të hapur e mjeteve të tonazhit të ulët dhe të mesëm. Po kështu, edhe puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit është ndërprerë plotësisht, për shkak të reshjeve të dendura. Ndërkaq, situata paraqitej më emergjente në portin e Vlorës, ku sipas të dhënave zyrtare të kapitenerisë së portit, deti shënoi dje valëzimin 5-6 ballë në brendësi të gjirit të Vlorës, ndërsa në det të hapur arriti në 7-8 ballë. Shpejtësia e erës ishte 30-40 metra për sekondë, ndaj asnjë anije nuk i rezistonte dot lundrimit në det. “Janë dhënë të gjithë urdhrat për pezullim të lundrimeve, deri në një moment të pacaktuar”, tha për gazetën Genci Hasanaj, shef i kapitenerisë së portit të Vlorës, i cili shtoi se bëhet fjalë për një fortunal që rrallë kalon në gjirin e Vlorës, me forcë 8-9 ballë dhe shpejtësi ere 30-40metra për sekondë. Shumë mjete lundruese që ndodheshin gjatë furtunës në det, u strehuan në gjirin e Janit, në gadishullin e Karaburunit, ndërsa tragetet u detyruan të nxjerrin edhe cimat e tjera për të përforcuar spirancat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›