E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'do Topalli ose gënjen opozita

Nje pike e rregullores se Kuvendit per mbajtjen e seancave te perjavshme pyetje-pergjigje, shkelet sistematikisht. Askush nuk e pranon pergjegjesine

Opozita dhe Kuvendi deklaruan qëndrime të kundërta dje lidhur me zhvillimin e seancave pyetje-përgjigje të të mërkurave. Fillimisht, Erion Braçe, nënkryetar i grupit kuvendar socialist tha se ishin bërë disa kërkesa për të thirrur seancën sipas Rregullores së Kuvendit, përcatuar në nenin 95, por kryetarja Jozefina Topalli nuk ka pranuar. Mirëpo, pasdite, burime zyrtare të Kuvendit thanë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë dhe se mbledhja e seancës parashihet nga strukturat dhe nuk bëhej prej kryekuvendares.

PS u shpreh e shqetësuar në lidhje me mosfunksionimin e rregullt të punimeve të Kuvendit. Për pakicën e majtë, Rregullorja e Kuvendit nuk zbatohet dhe respektohet. Një gjë e tillë ndodh me seancën e përjavshme të pyetje-përgjigjeve. Në Rregulloren e Kuvendit, në nenin 95 të saj, thuhet se një herë në javë, të mërkurave, zhvillohet seanca e përjavshme e pyetje-përgjigjeve jo më shumë se 60 minuta. Në pikën e dytë të këtij neni theksohet, se pyetjet për seancën e përjavshme paraqiten me shkrim deri ditën e hënë në orën 14:00, në sekretarinë e Kuvendit, ndërsa më pas këto pyetje i paraqiten menjëherë kryeministrit dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave, të cilit i janë drejtuar. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje, se partia e tij ka kërkuar shumë herë zhvillimin e kësaj seance, por ka qenë pikërisht kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ajo që nuk e ka thirrur. “Thotë se nuk vijnë deputetët të mërkurën, ndërkohë që mua nuk më intereson fare një gjë e tillë. Mua më intereson të vijë ai të cilin unë kam thirrur. Në qoftë se kam kërkuar interpelancë me kryeministrin, dua të vijë kryeministri”, thotë Braçe. Ai thekson se është pak e rëndësishme nëse deputetë të tjerë, qoftë edhe të grupit të tij, paraqiten në seancë. Sipas tij, seanca e pyetje-përgjigjeve nuk kërkon kuorumin e nevojshëm. Madje, ai thekson se, “është një seancë që mund të bëhet edhe tek për tek”. Braçe nënvizon se kjo seancë është vendosur në Rregullore, për t’u dhënë mundësi deputetëve që të ballafaqohen dhe për të ushtruar detyrimet kushtetuese që ka legjislativi që të kontrollojë ekzekutivin. Ndërsa burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se nuk është kryetarja e Kuvendi ajo që vendos në lidhje me zhvillimin ose jo të seancës së pyetje-përgjigjeve, por është Konferenca e Kryetarëve, organi i cili vendos mbi zhvillimin e saj. Burimet bëjnë të ditur se, në fakt, Kuvendi ka zhvilluar seanca të tilla dhe, pse jo, të shpeshta. Të njëjtat burime thanë se deri më tani nuk ka pasur kërkesa për seanca pyetje-përgjigjesh. Sipas tyre, në momentin kur ka ndodhur një ngjarje, atëherë deputeti ose grupi parlamentar që kërkon një seancë pyetje-përgjigjeje përcjell këtë kërkesë dhe ajo ose votohet në të njëjtën seancë, ose kalon në Konferencën e Kryetarëve. Ndërkohë, në Rregulloren e Kuvendit sqarohet edhe momenti i zhvillimit të seancave të pyetjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›