Fatura e fatkeqësisë

Gati vlera monetare për Gërdecin. Ja si do të kryhen kompensimet. Banorët, 20 milionë dollarë dëmshpërblim nga dëmet
Janë 20 milionë dollarë apo 1.5 miliardë lekë të reja që do t’u shpërndahen banorëve të zonës së Gërdecit dhe fshatrave të dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit. Fatura financiare e përgatitur nga Enti Kombëtar i Banesave është miratuar gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e qeverisë. Tashmë, sipas listave të përgatitura nga institucionet qeveritare, banorët mund të tërheqin paratë pranë llogarive të tyre bankare. Fatura financiare përfshin kompensimin për 3615 banesa të dëmtuara gjatë shpërthimit. Vlera totale e objekteve private të dëmtuara, e cila përfshin edhe vlerën e orendive shtëpiake dhe pajisjeve elektronike arrin vlerën e 1 571 898 399 lekëve. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë konfirmoi se vlera e punimeve ndërtimore në zonën e emergjencës do të jetë e përjashtuar nga çdo lloj takse. Kostoja e ndërtimit të banesave të shkatërruara është llogaritur në vlerën e 25 mijë lekëve të reja për metër katror. Po ashtu, banorët do të kompensohen edhe për dëmtimet e pajisjeve shtëpiake, ku kompensimi do të kryhet sipas çmimeve të referencës që janë llogaritur nga tatimorët. Konkretisht, numri i objekteve të dëmtuara në qytetin e Vorës është 1112 objekte. Në Marqinet janë 365 objekte, ku përshihen shtëpi, klube etj. Gjokaj ka 253 objekte, ndërsa Picari ka 239 objekte, Kodër Vorë 297 objekte, Gërdec 109 objekte, Sharrë 139 objekte, Mucaj 359 objekte, Marikaj 651 objekte, biznese 32, ferma bujqësore 34 dhe bagëti të fermave bujqësore 25. Kryeministri kërkoi që, bazuar në fotot ajrore, ekipet e vlerësimit të bëjnë vlerësimin e ullinjve dhe të drurëve frutorë, të cilët bëjnë pjesë në pronën e familjeve të dëmtuara. Në faturën financiare është përfshirë edhe vlera e kompensimit për fermerët, të cilët pësuan dëmtime në blegtori në zonën e Gërdecit dhe fshatrat përreth. Pas verifikimit të kryer nga Inspektorati Veterinar, vlera e kompensimit arrin në 2 122 8 lekë, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit thanë se në këtë shumë kompensimi përfshihen lopë të asgjësuara e të groposura, viça, dele, qengja, dosa, pula etj. Sipas burimeve, dëmshpërblimi i kafshëve bazohet në listën e çmimeve aktuale të tregut nga komisioni i ngritur pranë ministrisë. Ndërkohë janë ende në proces trajtimi nga inspektori i shërbimit veterinar së Tiranës 12 krerë gjedhë, 6 krerë dosa importi, të cilat janë nën kontroll. Por pritet që shumë shpejt qeveria të bëjë publike dhe një tjetër faturë financiare për kompensimin e dëmeve që i janë shkaktuar biznesit. Sipas Ministrisë së Financave, në kompensim do të përfshihen vetëm ato biznese që nuk kanë qenë të siguruara. Për sa i përket pjesës tjetër të biznesit, fatura financiare që llogaritet nga kompanitë e sigurimeve deri tani ka arritur në vlerën e 60 mijë eurove.
Kompensimi për banesat, 1.2 miliardë lekë
Vorë 1112 objekte.
Marqinet 365 objekte
Gjokaj 253 objekte
Picar 239 objekte
Kodër Vorë 297 objekte
Gërdec 109 objekte
Sharrë 139 objekte
Mucaj 359 objekte
Marikaj 651 objekte
Biznese 32 objekte
Kompensimi për blegtorinë, 2 122 800 lekë
11 lopë 130000 lekë për krerë
5 viça 30 000 lekë për krerë
1 kalë 80 mijë lekë
5 gomarë 15 mijë lekë për krerë
3 dele 4 mijë lekë për krerë
1 qengj 3 mijë lekë
1 dosë importi 60 mijë lekë
4 dosa vendi 14 mijë lekë për krerë
194 pula 6180 lekë për krerë apo 1.2 mijë lekë
Kompensimi për orenditë dhe pajisjet, 357 milionë lekë
Televizor
Lavatriçe
Sobë me korrent
Frigorifer
Orë muri
Orë dore
Perde
Kolltukë
Krevat
Fustan nusërie