E Diel, 1 Nëntor 2026

Arminia-Hamburg, ose derbi shqiptar Fatmir Vata-Besart Berisha

Albania-Sport - E shtuna sjell për tifozët shqiptarë duelin midis dy legjionarëve të Bundesligës së parë gjermane, pasi Fatmir Vata dhe Besart Berisha do të rreshtohen përballë njëri-tjetrit në ndeshjen që Arminia e Bielefeldit do të zhvillojë në fushën e vet përballë Hamburgut.
Në një përballje që simbolizon edhe në njëfarë mënyre sfidën midis të shkuarës dhe të ardhmes së Kombëtares kuqezi, trajneri i skuadrës vendase, Tomas Von Hesen, do të ketë në dispozicion një skuadër të plotë, përfshi edhe shqiptarin Fatmir Vata, i cili sapo ka nënshkruar për zgjatjen e kontratës me klubin gjerman.
Ndërkaq, e kundërta ndodh me Hamburgun, pasi trajnerit Tomas Doll do t'i mungojnë disa të dëmtuar afatgjatë, ndërsa mund t'i kthehen disa lojtarë të rëndësishëm. Pritet që i riu i Kombëtares kuqezi, Besart Berisha, i cili shënoi në miqësoren e së mërkurës kundër amatorëve të Altonas, të jetë në 11-shen e parë të Hamburgut për ndeshjen që do të luhet të shtunën në "Schüco-Arena", në ora 15:30.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›