E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi, dy gola në humbjen e SV Riedit

Golashënuesi më i mirë i gjysmësezonit të Kategorisë Superiore, Hamdi Salihi, ka arritur të shënojë dy herë në ndeshjen më të fundit miqësore që skuadra e tij re, SV Ried, ka zhvilluar kundër skuadrës së kategorisë së dytë të futbollit austriak, SC Shvanenstadtit, por pa mundur të shmangë humbjen.
Skuadra austriake është mundur 2-4 në miqësoren e zhvilluar të martën, ku sulmuesi shkodran, i cili, deri para vitit të ri, luante me fanellën e Tiranës, ka qenë titullar në sulmin e Riedit, përkrah Damjanovicit. Salihi ka kaluar skuadrën e tij në epërsi në minutën e 29-të, duke dyfishuar epërsinë e vendasve vetëm 5 minuta më vonë, me golin e tij të dytë.
Këto ishin golat e parë të sulmuesit shqiptar me fanellën e Riedit, ndërkohë që Salihi është zëvendësuar në fillimin e pjesës së dytë, pasi trajneri Helmut Kraft ka preferuar të fusë në fushën e blertë një 11-she tjetër. Përkrah shkodranit tjetër, që luan te Tirana, Vioresin Sinanit, Hamdi Salihi kryeson aktualisht listën e golashënuesve të Kategorisë Superiore, me nga 13 gola secili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›