Armiqësitë nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë emrin e Zotit
Monsinjor Rrok Mirdita*
Duket një paradoks, por është një fakt jo anësor i kohës sonë, që pikërisht kur duket sikur shoqëria është shekullarizuar dhe laicizmi gjithnjë e më i skajshëm i jetës publike po shtrihet gjithandej, por kryesisht në Perëndim, çështja e dialogut ndërfetar bëhet gjithnjë e më e pranishme në debatin publik.
Çfarë do të thotë atëherë, të flasësh për marrëdhënie ndërfetare në një shoqëri të laicizuar? Çfarë vlere publike mund të ketë një diskutim i tillë, nëse çështja fetare izolohet vetëm në sferën private të individëve besimtarë praktikantë?
Nuk ka dyshim që debati publik është i nxitur gjithashtu nga fakti se në skenën politike ndërkombëtare shumë konflikte shoqërore brendakombëtare apo ndërkombëtare janë paraqitur si konflikte me origjinë fetare. Kur politika maskohet me petkun fetar dhe kur feja përdor mjetin politik për të arritur qëllime që nuk kanë asnjë vlerë shpirtërore, por kanë të bëjnë vetëm me fushat e influencës dhe me pushtetin tokësor, atëherë çështja fetare bëhet pjesë e debatit publik në emër të kërkimit të përbashkët të paqes së humbur për shkak të konflikteve që mbajnë firmën e fesë.
Në këtë prizëm, dialogu ndërfetar është i rëndësishëm, sepse është një përpjekje për të gjetur rrugën e paqes, por përsëri, pikërisht në këtë prizëm dialogu ndërfetar duhet të ruhet nga rreziku për të veshur petkun diplomatik e për të realizuar takimin midis besimeve, jo në kornizën e vlerave shpirtërore, por në shërbim të projekteve sociologjike.
Duke vënë qartë në pah faktin se asnjë konflikt dhe armiqësi ndërmjet individëve, grupeve shoqërore apo popujve nuk ka të drejtë të shfrytëzojë emrin e Zotit për t'u shfajësuar, ata që kanë përgjegjësinë e udhëheqjes shpirtërore të bashkësive fetare duhet t'i ndihmojnë bashkësitë e tyre për të ndarë një herë e mirë çështjen socio-politike nga çështja fetare. Vetëm duke ndarë qartë çështjen politike dhe kombëtare nga çështja shpirtërore dhe fetare, të gjitha fetë mund të vihen në shërbim të së mirës politike dhe kombëtare pa kompromentuar themelet e tyre shpirtërore. Madje, nëse thellojnë dialogun atje ku identiteti kombëtar përkon me identitetin fetar, mund dhe duhet të bëhen gjithashtu pararojë e marrëdhënieve ndërkombëtare të popujve në konflikt.
Kjo gjë vlen për Ballkanin, ku konfliktet ndërkombëtare kanë përkuar nganjëherë me konflikte ndërfetare. Ngatërrimi i kombit me fenë dëmton natyrën laike të shtetit dhe infekton natyrën jopolitike të fesë.
Shpeshherë përmendet rasti i Shqipërisë si rast model i bashkëjetesës ndërfeatre. Kam pasur rastin ta them edhe në raste të tjera se ky fakt, në të vërtetë, nuk duhet të konsiderohet i jashtëzakonshëm. Do të ishte e zakonshme dhe e natyrshme që të gjitha besimet fetare të jetonin në respekt të plotë ndaj njëri-tjetrit dhe është krejtësisht e panatyrshme kur dallimet ndërfetare bëhen shkak konfliktesh brenda një populli apo ndëretnike. Ndërgjegjja fetare, për cilëndo fe që të bëhet fjalë, duhet të tronditet kur konflikti social, politik apo ndërkombëtar mbart motive fetare apo ushqehet me ndjenja fetare.
Natyra shpirtërore e ushtrimit të fesë qëndron mbi interesat materiale të ushtrimit të jetës socio-politike. Nëse njerëzit takohen tek vlerat shpirtërore, dhe për vlerat shpirtërore nuk ka kufij politikë apo etnikë, atëherë ky takim do të çlirojë dritë mbi realitetet tokësore dhe do të shuajë konfliktet e ndezura rreth gjërave që kanë vlerë dytësore.
Pikërisht në këtë mënyrë, nëse fetë janë të rrënjosura mirë në vlerat shpirtërore, mund të mbartin një mision madhor përballë shtetit laik, mund të plotësojnë atë shërbim ndaj të mirës së përbashkët që shteti nuk mund ta plotësojë pikërisht për shkakun se është laik. Nëse shteti laik dhe fetë apolitike do të bashkëpunojnë në shërbim të së mirës së përbashkët të popujve, laiciteti i shtetit nuk do të jetë një mallkim për shoqërinë dhe fetë do të jenë një bekim për të gjithë njerëzit si edhe për shtetin.
Vendi ynë ecën mbi binarët e mirë të këtij bashkëpunimi. Uroj që kjo t'i kapërcejë kufijtë e vendit tonë.
*Mesazhi i Monsinjor Rrok Mirdites, dhënë në Forumin për Dialogun Ndërfetar në Europën Juglindore, mbajtur në Tiranë, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe organizuar nga Ministria e Jashtme