Ishulli i hipokrizisë
Andis Harasani
Përfytyroni për një çast një fakir të mjerë që ka ulur kurrizin dhe mbi lakuriqësinë e tij dikush rëndon me gjithë peshën e krahut një kamxhik lëkure. Numrin e goditjeve e numëron vetë viktima. Po ai nganjëherë ngatërron shifrat, i kërkon ndjesë të zotit të kamxhikut, vetëkorrigjohet, i tregon me gisht pjesët e buta poshtë barkut ku mund të godasë lehtësisht dhe në një moment të caktuar pyet gjithë respekt: do të pushosh një çast? Dhe pastaj, ngrihet pak, drejtohet dhe me një shami të pastër i fshin djersët të zotit të kamxhikut. "Rifillojmë sërish!", i njëjti zë dhe e njëjta skenë që përsëritet, një kurriz i përkulur dhe një kamxhik që vete vjen kurrizit, sikur do të nxjerrë të keqen që mban barku i viktimës. Fatmirësisht kjo mund të jetë vetëm ëndërr xhelati dhe jo makth viktime.
Çfarë ka të përbashkët kjo skenë me politikën e sotme shqiptare? Unë nuk kam dashur të bëj një paragonë të tillë. Thjesht tregova një histori dhe nuk kam dashur të them se njeriu me kurriz nën kamxhik është - largqoftë - publiku shqiptar në vite dhe po ashtu, nuk kam dashur të them se dora që lodhet me kamxhik ka imunitet. Kushdo që përqasje të tilla të rastit, i përkthen sipas realitetit që po jetojmë, thjesht gabon; ato janë fare të rastësishme. Por kur kryeministri i vendit betohet se xhelatët e djeshëm janë ende në jetë publike dhe janë kushtëzues të jetës publike, pak arsye kam që të mos e besoj. Ja që kështu më ndodh dhe ndonjëherë edhe e besoj atë.
Unë kam dashur vetëm të tregoj se Shqipëria nuk është një ishull dhe se eksperimente të tilla me ndëshkim të së shkuarës, nuk mund të bëhen në vetmi, por kanë shumë e shumë dëshmitarë, brenda dhe jashtë vendit. Kam dashur të bëj një përsiatje fare të zakontë për ligjin, që në gjuhën e përditshme sot e quajmë, ligji për dosjet. Dhe sapo kujtoj këtë togfjalësh, skena që përshkrova më sipër, zgjatet më tej: dora le mënjanë kamxhikun dhe nis të mjekojë plagët e kurrizit të dërmuar. I garanton plot patos dhe me një zë emfatik shërim të shpejtë duke i treguar duart e pastra të futura në doreza mjeku për të siguruar higjienë të përkryer.
Në këto kushte nuk ndahet dilema: Mirë që për një moment përdor kamxhikun, por a është e drejtë të përdorë dhe "farmaceutikën" për të shëruar? E thënë ndryshe dhe e thënë në mënyrë direkte: ish-sigurimi i shtetit ishte një armë e dashur e ish-komunistëve të djeshëm në pushtet. Një armë që ka sjellë shumë gjëma dhe ka bërë shumë bëma. Por a është më shumë fajtore arma për krimin apo dora që e krijoi dhe truri që e ideoi? Domethënë, a është më shumë fajtor sigurimsi që tashmë përfytyrohet si një mistrec shtatshkurtër, i zi në fytyrë dhe me kasketë në kokë apo komunisti i tribunave dhe i organizatave bazë që të bënte gjëmën i veshur me kostumin e intelektualit të kohës, bluzën e mjekut apo tirandat e inxhinierit? Akoma më troç për këdo, ka më shumë të drejtë Sali Berisha, ish-komunisti i djeshëm në trup e shpirt të dënojë të përlyerit me dosjet apo Taulant Balla, miku im që ende nuk ka mundur të shohë për shkak të moshës një dosje me sy? Duhet të presim që dekomunistizimin e këtij vendi të munduar ta bëjë një komunist apo të kërkojmë atë të na e sjellë si pilulë shpëtimtare Gjergj Bojaxhiu i KESH-it nëse bëhet nesër kryetar i PD-së së Tiranës, siç dhe thotë? Si mundet që të na bindë për të shkuarën vetë e shkuara jonë, si mund ta besoj më shumë Saliun sesa Bumçin, fjala vjen?
Me shembuj të tillë lokalë mund të vazhdohet pafund. Por hataja ngjan kur në luftë me të shkuarën, e sotmja jonë qeverisëse na nis një luftë të marrë me gjithë dynjanë. Me SHBA-në që nuk ka jetuar një ditë nën komunizëm e kemi të lehtë të japim leksione antikomuniste dhe kur e bëjmë me një superfuqi, është e lehtë ta bëjmë me gjithçka tjetër që lëviz e prodhon politikë këtej nëpër Evropë, me BE, me KE, me OSBE. Sikur të reagonin australianët, edhe atyre do t'u kujtonim se në Luftën e Dytë Botërore luftuan bashkë me sovjetikët komunistë të Stalinit. Edhe senatorit McCarthy do t'i dukej vetja komunist përballë antikomunistëve tanë. Kësodore, bota sa vjen dhe bëhet më e vogël, kurse Shqipëria jonë, nën qeverisjen e qeveritarëve tanë, nis e bëhet një ishull ndriçues, nga i cili duhet të mësojë gjithë çfarë mbetet përreth. Sa për të mos e harruar si detaj, ata janë në krizë dhe recesion, ne na rritet GDP-ja si ferrat në pranverë.
Ka shumë hipokrizi në këtë mesdimri. Ka shumë gështenja në zjarrin tek i cili dikush kërkon të ngrohë duart dhe dikush përcëllon duart. Ligji është masha për t´i nxjerrë ato jashtë. Sepse gështenjat pëlcasin në zjarr. Shpejt do t´u ikë dhe stina. Në verë ai frut karakteristik i veriut tonë nuk shijon.
Fatmirësisht, edhe dje, nëse ndokush kujtohet për skenën që përshkrova në fillim, ka pasur gra e burra të fortë që nuk i kanë fshirë djersët atij që i godiste me kamxhik mbi shpinë. Fatmirësisht ka pasur gra e burra të fortë që kanë shtrënguar dhëmbët dhe kanë ëndërruar se një ditë do të kishte drejtësi. Por atë nuk mund ta bëjë tjetër kush veç atyre, veç të tjerëve që ose nuk kanë prekur kamxhikun me dorë, ose nuk bënin sehir kur ai ulej dhe ngrihej mbi kurrizin e të tjerëve. Nëse sot ajo skenë e të shkuarës është e papërfytyrueshme, të paktën, le të na kursejnë hipokrizinë se po shërojnë plagët e djeshme duke pasur parasysh, sëmundjet e të sotmes!