"Armstrong do të fitojë falë dopingut"
Armstrong do të fitojë sërish "Tour de France", por me një arsenal produktesh që përmbajnë substanca të ndaluara. Kjo është përmbledhja e sulmit të Xherard Dine, profesor i bioteknologjisë në Paris dhe ekspert dopingu, ndaj kampionit amerikan të çiklizmit. Sportisti 37-vjeçar është shpallur për shtatë vite radhazi (1999-2005) fitues i garës më të famshme në botë me biçikleta dhe në verën e ardhshme ai ka planifikuar të rikthehet sërish në aksion. Sipas profesor Dine, EPO i brezit të tretë, dopingu më i fundit që po hetohet, është thjesht fasada. "Për të gjitha lëndët që klasifikohen si EPO, mjafton një modifikim kimik që të qëndrojnë më gjatë në trup", shpjegoi profesori për gazetën "Parisien". "Një injektim mjafton për tri javë dhe jo për tri ditë. Por, atletët që mendonin se mund të përfitonin prej saj janë informuar keq". Më tej ai shtoi: "Momentalisht në tregun e farmaceutikëve qarkullojnë 30 lloje të EPO-s. Problemin më të madh e përfaqëson ‘Dynepo‘, pa llogaritur këtu ato që fabrikohen në Kinë dhe Indi. Llojet e reja të dopingut veprojnë drejtpërdrejtë në vena dhe në palcë, duke rimodeluar funksionin e organizmit. Produkti i parë u krijua në një laborator të Kalifornisë dhe merrej nëpërmjet gojës. Produktet që zëvendësojnë EPO-n tradicionale njihen prej kohësh. Ata që marrin doping përdorin farmaceutikë që do të dalin në treg vetëm në vitin 2020". Këtu kanë lindur edhe dyshimet për Armstrong, shtatë herë kampionin e "Tour", i cili bëri të ditur se do të rikthehet në gara. "Për mendimin tim, theksoi Dine, Armstrong e di se si funksionon sistemi, është në dijeni të konflikteve ndërmjet Agjencisë Botërore Antidoping dhe UCI-t. Ai i ka të gjitha mundësitë që të ‘luajë‘ brenda rregullave, me vetëdije". Në fund specialisti francez deklaroi: "Për dhjetë vjet Armstrong u ka shpëtuar të gjitha kontrolleve. Sipas të gjitha gjasave, në shërbim të tij është një staf mjekësor mjaft i mirë. Duke pasur parasysh këto gjëra, ai do të përdorë një arsenal të vërtetë substancash dopuese dhe do të jetë gjithmonë ‘i pastër‘. Ai mund të fitojë pa probleme në ‘Tour de France‘, por nëse do të kërkohej përpilimi i një pasaporte të vërtetë biologjike, do të flisnim për një histori krejt tjetër".