Memaliaj, policia masakron tifozin
Rikthehet dhuna në futbollin shqiptar. Këtë herë janë kategoritë inferiore, ato që shndërrohen në problematike, ku duket se dhuna nuk mungon thuajse në asnjë ndeshje. Në fillim të javës u mësua se një tifoz i ekipit të futbollit të Sarandës, Butrinti, është rrahur nga policët në qytetin e Memaliajit pas ndeshjes, ku vendasit fituan me rezultatin 4-1. Emri i tij është Evriat Kokëdhima, me banim në Sarandë. Sipas informacioneve të marra, ai ndodhet në spitalin e Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje mjaft të keqe, për shkak të mizorisë së dhunës së ushtruar nga policët. "4 policë më futën brenda në një dhomë. Më qëlluan dhe nuk pashë më sepse rashë në shesh pa ndjenja. Më pas, më lanë jashtë, në shi, pa ndjenja", tha ai.