Arratia, akuzë dëshmitarit të "Hajdari"
Prokuroria e Lezhës hapi dje një dosje të re penale në ngarkim të Petrit Çakrrit, person i konsideruar si dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave me njoftim të burgut të Shën-Kollit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është filluar dje procedimi penal që bën fjalë për veprën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit me të akuzuar të dënuarin Petrit Çakrri. Sipas Prokurorisë, objekt i hetimit në të cilin akuzohet i arratisuri është edhe verifikimi i kushteve në të cilat Çakrri ka marrë leje. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka shfajësuar institucionin që ai drejton për arratinë e të dënuarit Petrit Çakrri pas lejes shpërblyese që kishte përfituar nga institucioni i ekzekutimit të dënimeve penale në Shën-Koll të Lezhës. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i Burgjeve ka theksuar se leja e dhënë ka qenë konform të gjitha ligjeve në fuqi dhe për pasojë tërësisht e rregullt. Dibra gjatë fjalës së vet, duke e cilësuar veprimin e Çakrrit një aventurë, ka theksuar se ai është shpallur person në kërkim. Më tej kreu i Burgjeve i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të ndjekë me përparësi këtë rast, ndërsa garantoi se ky precedent nuk do të penalizojë personat e tjerë, të cilët plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për të përfituar leje nga burgjet. Duke folur për rastin e të dënuarit Çakrri, Dibra pohoi se ky i dënuar nuk kishte asnjë problem me burgjet, por me drejtësinë. Por duke u nisur nga ky precedent, Dibra tha se tani autoritetet e burgjeve do të kenë më shumë kujdes në dhënien e lejeve shpërblyese për të dënuarit. 39-vjeçari Petrit Çakrri, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Tiranë, dëshmitari i vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, rezulton të ketë marrë dy dënime me nga gjashtë vjet burg secilin. Fillimisht ai është arrestuar dhe dërguar në qeli nën akuzat "vjedhje me dhunë" dhe "armëmbajtje pa leje" dhe e ka përfunduar këtë dënim më 15 maj 2006. Por, ndërsa ndodhej në qeli ai ka marrë një dënim tjetër me gjashtë vite burg për mashtrimin e shokut të qelisë, të cilit arriti t'i merrte rreth 20 mijë euro, duke i premtuar se do ndërhynte për lirimin e tij. Këtë dënim Çakrri po e vuante në burgun e Shën-Kollit në Lezhë dhe mësohet se i kishte mbetur shumë pak kohë për ta përfunduar atë. Drejtoria e Burgjeve pohoi zyrtarisht se atij i kishin mbetur edhe 1 vit e 4 muaj burg, pavarësisht se pretendonte se kishte shlyer këtë dënim.
Alibeaj: Të burgosurit nuk respektojnë lejet
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një takimi për projektin e KE-së për burgjet në vendin tonë ka deklaruar se ndodh që dhënia e lejeve ndonjëherë nuk respektohet. Sipas ministrit Alibeaj, dhënia e lejeve në burgje është një gjë e mirë dhe që ndikon në rehabilitimin e të dënuarve, ndërkohë që kushtet nëpër institucione të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimeve kanë ardhur në përmirësim. Por, sipas Alibeaj, ndodh shpeshherë që lejet nuk respektohen nga përfituesit, në këtë rast të dënuarit. Kurse kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra, tha se i dënuari Petrit Çakrri nuk kishte probleme me burgjet, por me drejtësinë. Sipas Dibrës, leja e dhënë për këtë të dënuar ishte brenda të gjitha ligjeve, ndërsa duke u nisur nga ky precedent Dibra tha se tani do të ketë më shumë kujdes në dhënien e lejeve shpërblyese për të burgosurit. Ndërkohë vetë i burgosuri i arratisur ka rënduar pozitën e tij juridike. Veç 16 muajve burg që atij i kanë mbetur ende të pashlyera, ai rrezikon të marrë një dënim që maksimalisht shkon deri në 5 vjet burg nën akuzën e "largimit të të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit". Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Drejtësisë u prezantua projekti për ndërtimin e tre burgjeve të reja në Fier, Gjirokastër e Shkodër dhe tri qendra të reja të paraburgimit në Elbasan, Berat dhe Kukës, që adresojnë problemet kryesore të sistemit shqiptar të burgjeve. Gjithashtu janë llogaritur kostot e përafërta për ndërtimin e këtyre godinave. Pritet që këto institucione të reja do të zbutin mjaft prej problemeve të sistemit të burgjeve siç janë: mbipopullimi dhe kushtet e këqija të jetesës në burgjet dhe paraburgimet shqiptare, të cilat vihen në dukje në vazhdimësi nga monitorime të shumta. f.m.