E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të riut, vidhte çantat e grave në rrugën e Durrësit

 

TIRANE - Kapet adoleshenti, tmerri i vjedhjeve të çantave të femrave në rrugën e Durrësit. Policia e kryeqytetit pohoi dje se pasditen e së enjtes, efektivët e komisariatit numër tre vunë në pranga 18-vjeçarin Fatbardh Byberi, banues në Laprakë. Sipas policisë, adoleshenti ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se më datë 10 janar 2009, në rrugën e Durrësit të ketë vjedhur portofolin në çantën e një gruaje, duke përvetësuar shumën e 38 mijë lekëve të reja. Po kështu më datë 16 të këtij muaji, në të njëjtin vend ai dyshohet të ketë vjedhur portofolin dhe kartën bankare të një tjetër gruaje, me anë të të cilave ka tërhequr në bankomat shumën prej 45 mijë lekësh. Po në të njëjtën mënyrë, ky person i ka marrë 70 mijë lekë një tjetër gruaje më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Pasi i ka vjedhur portofolin dhe kartën e kreditit asaj në rrugën e Durrësit, ai ka tërhequr nga bankomati shumën prej 70 mijë lekësh. Në momentin e arrestimit të tij policët i gjetën me vete një thikë, të cilën e mbante pa leje. Pas akuzës së vjedhjes, më shumë se njëherë iu shtua edhe ajo e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta. Ndërsa pas verifikimeve të kryera në komisariat, rezultoi se ai ishte dënuar më parë për vjedhje dhe kishte vetëm pak kohë që kishte shlyer dënimin. Gjatë ditës së sotme pritet që adoleshenti të dërgohet në gjykatë për masë sigurie. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›