E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani rrëfen tratativat me Lacion

 

JETMIR HALILAJ

Erjon Bogdani dëshiron të shkojë te Lacio, por sipas tij, çështja është e komplikuar dhe për më tepër, asnjë nga drejtuesit e klubit bardhekaltër, nuk ka kontaktuar me të, përfshi këtu edhe drejtorin teknik, Igli Tare.Lojtari ka pohuar bisedimet mes Kievos dhe klubit roman, por ka saktësuar se deri tani, asgjë nuk është vendosur. Ndërkohë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare saktëson se nuk do të pranonte të kalonte te Lacio me një reduktim page. "Bisedimet deri tani janë në rang menaxherësh, pasi me mua nuk ka kontaktuar askush. Unë do të doja të kaloja te Lacio, pasi është një klub i madh, por deri tani nuk është vendosur asgjë", ka thënë dje sulmuesi kuqezi për TVSH. I pyetur nëse do të pranonte reduktim page për të shkuar te Lacio Bogdani ka thënë: "Nëse bëhet fjalë për kalimin në formë huazimi, nuk do të pranoja reduktim page". Ndërkohë, Kievo ka marrë sulmuesin Makinua në formë huazimi dhe ky është një sinjal se shtatlarti kuqezi është më pranë kalimit, por ai frenon teksa thotë: "Nuk mund të them asgjë me siguri të plotë. Menaxherët janë ende në bisedime. Ju e dini si funksionojnë punët në merkato. Gjërat ndonjëherë marrin zgjidhje vetëm në minutën e fundit, ndaj nuk përjashtohet mundësia që e ardhmja ime të zgjidhet në orët e fundit të merkatos, ashti si edhe një vit më parë kur kalova te Livorno. Unë jam në pritje, por padyshim që do t'i vlerësoj me kujdes të gjitha ofertat. Nuk përjashtohet mundësia që të qëndroj edhe te Kievo, pasi nëse ofertat nuk më bindin, atëherë është më mirë që të qëndroj këtu", ka vazhduar Bogdani. Në fundjavë Kievo do të ndeshet me Rexhinën, skuadër në të cilën Bogdani ka nisur aventurën e tij në Serinë A. "Jam në një formë shumë të mirë, por nuk e di nëse do të jem titullar, ose jo. Nëse luaj, padyshim që dua të shënoj, pasi skuadra e Kievos ka nevojë për pikë dhe unë dua të tregoj se sa vlej. Do të jetë një ndeshje delikate, të cilën shpresoj që ta fitojmë", ka thënë sulmuesi.
Kombëtarja
Më 11 shkurt kuqezinjtë do të luajnë kundër Maltës në transfertë. Kjo cilësohet si ndeshja kryesore e edicionit, pasi një fitore në këtë takim, jo vetëm që i ngjit kuqezinjtë në krye të grupit 1, por mban gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm. "Është një ndeshje shumë e rëndësishme, - thotë Bogdani. - Jemi të ndërgjegjshëm se të gjithë presin fitore në këtë takim dhe është detyra jonë që ta realizojmë këtë objektiv. Duhet patjetër që të marrim tri pikët, pasi kështu do të jemi të karikuar edhe për ndeshjen kundër Hungarisë më 28 mars. Nëse marrim gjashtë pikë në këto dy ndeshje, atëherë do të thotë se kemi bërë një hap të rëndësishëm, pasi dihet se kundërshtarët e tjerë janë padyshim shumë më të fortë". Sipas të gjitha gjasave, Bogdani do të jetë i grumbulluar në këtë sfidë, aq më tepër që Kapllani, rrezikon seriozisht që të mos grumbullohet. Deri tani 32-vjeçari nga Tirana nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në fazën e parë të kampionatit, por është rikthyer në formë të mirë fizike dhe mbetet një pikë reference në sulmin kuqezi. Golin e vetëm me Kombëtaren këtë edicion e ka shënuar pikërisht në ndeshjen ndaj Maltës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›