E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashuri lulesh në fokusin fotografik

 

Alma Mile

E fshehtë, sensuale, plot ngjyra... E zhveshur. Është dashuri lulesh. Në dukje tërësisht e pafajshme, edhe pse synimi është i njëjtë me atë human, riprodhimin. "Herbarium Amoris" është ekspozita fotografike e fotografit suedez Edvard Koinberg, e cila hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar. Në bashkëpunim me Institutin Suedez, Koinberg na sjell një seri fotografish, që kanë në qendër bimët. Por jo thjesht bukurinë natyrale të tyre, ngjyrat, lulëzimin në stinën përkatëse. I frymëzuar nga një biolog i shek. XVIII, Carl Linnaeus, 45-vjeçari Edvard Koinberg tenton të fiksojë botën seksuale të bimëve. Dhe duket se ka qëlluar në shenjë. U bënë vite tashmë që kjo ekspozitë xhiron në vende të ndryshme të botës, nga Moska në Hong-Kong, duke u pritur ngado me një interes të jashtëzakonshëm. Për herë të parë kjo ekspozitë është prezantuar në "Bergius garden" në Stokholm në vitin 2003 dhe prej atëherë ka shëtitur në 20 shtete të ndryshme e në 40 galeri. Dhe nuk është e rastit, që ekspozita i dedikohet pikërisht biologut. Me anë posterash, ku përvijohen atmosfera floreale, por edhe një gërshetim mes botës humane dhe floreale, organizatorët ia kanë bërë të gjitha "nderet" ekspozitës, por edhe shkencëtarit. "Herbarium Amoris" është një kombinim prej 38 pikturash dhe 10 tekstesh mbi biologun Carl Linnaeus dhe idetë e tij mbi seksualitetin e bimëve. Koinberg e lidhi fotografinë me bimët, dhjetë vjet më parë, në vitin 1999. Fillimisht gjithçka ngjante me një herbarium fotografik, por më vonë, ai filloi t'i njihte bimët dhe sjelljen e tyre seksuale. "Frymëzimi erdhi prej Carl Linnaeus, ideve të tij mbi riprodhimin e bimëve dhe unë u përpoqa që t'i afrohesha me anë të fotografisë. Linneaus ishte njëkohësisht i lirë dhe poetik në tekstet e tij. Ai krahasonte seksualitetin e bimëve dhe njerëzve me një mjet pedagogjik dhe nuk i vinte aspak turp. Qëllimi im ishte që të realizoja fotografitë, ashtu si vetë Linnaeus do të donte, nëse do të kishte pasur mundësitë tona për të përdorur teknologjinë fotografike dhe t'i jepja ideve të Linneausit, formën e ditëve të sotme", thotë në konceptin e tij artistik, fotografi Edvard Koinberg. "Kur më ranë në dorë shkrimet e Linneaus-it, u mahnita nga sinqeriteti dhe lirizmi i tij, ndryshe nga ç'mund të prisja nga një shkencëtar", shton fotografi, teksa pranon se më tej u pushtua nga frymëzimi dhe entuziazmi i shkencëtarit. E duke u përpjekur të fusë brenda trupit të tij "shpirtin" e biologut që ka jetuar 300 vjet më parë, përmes mjeshtërisë fotografike fikson trupa bimësh të përqafuara. Ishte fund i vitit 1729, kur Carl Von Linnz, i ulur në studion e tij po shkruante një shkrim kritik mbi biologjinë. Ai përshkruante seksualitetin e bimëve, duke hedhur një ide, e cila do të rrezatonte më vonë në klasifikimin e bimëve. I pasionuar pas bimëve, por më së shumti i rrëmbyer prej idesë së tij ai mori nën studim qindra bimë, duke analizuar pistila e polene. Ai i ndau bimët në 24 klasa, duke numëruar thekët, që përfaqësojnë gjininë mashkullore dhe pistilat që përfaqësojnë gjininë femërore. Sipas klasave të biologut, në të parën hyjnë "martesat me një burrë", në të dytën "dy burra në të njëjtën martesë",... në të 13-ën "poliandria", "njëzet burra e më shumë në të njëjtën dhomë martesore, me të njëjtën grua".
Linnaeus tenton të heqë paralele mes seksualitetit të bimëve dhe njerëzve, për të kuptuar më qartë se si funksionon natyra. Këtë ai e bëri, duke përdorur edhe të njëjtat terma për organet femërore e mashkullore të bimëve dhe të njerëzve.
Kur studimi i tij u botua në "Systema Naturae" në vitin 1735, u deshën të kalonin vetëm pak muaj, që Linnaeus të bëhej i famshëm në të gjithë botën. Sigurisht që idetë e tij mbi seksualitetin e bimëve shkaktuan jo pak reagime, por në të njëjtën kohë, njerëzit u grishën prej saj. Ai u akuzua se idetë e tij "shtrembëronin" rrugën e të rinjve. Megjithatë të gjitha këto, veçse shtuan famën e tij. Tanimë punimet e tij, jo vetëm janë në bazën studimore të botanikës, por kanë frymëzuar edhe projekte artistike, si ai "Herbarium Amoris".
Pas ekspozitës në Tiranë, që hapet sot në Muzeun Historik Kombëtar, kjo seri do të udhëtojë drejt "Gallery Ikon" në Stokholm të Suedisë, për të vijuar në muajt mars, prill në "The Palmengarten" në Frankfurt, Gjermani dhe në muajt qershor-gusht në "Stadtmuseum Schleswig", po në Gjermani.

Linneaus, njeriu i bimëve 
Carl Linneaus është një botanist dhe shkencëtar suedez. Konsiderohet si babai i ekologjisë moderne. Lindi në një fshat të Smaland në Suedinë Jugore. U shkollua në Universitetin e Upsalas dhe nisi të jepte mësime botanike atje. Gjatë këtyre viteve ai botoi studimin e tij të parë mbi teorinë e tij të "Systema naturae" në Holandë. Në vitin 1940 ai kreu udhëtime nëpër Suedi për të studiuar bimët dhe kafshët, për të arritur tek klasifikimet e tyre. Me këto kërkime, ai u mor edhe në vitet në vijim, duke botuar vazhdimisht vëllime studimore. Në kohën kur ai vdiq, ai ishte i njohur në të gjithë Evropën si shkencëtari më i famshëm i kohës së vet. Personalitete të mëdha botërore e quanin atë, si Zhan Zhak Ruso, Gëte, Strindberg, e konsideronin si një nga njerëzit më të mëdhenj, që ka jetuar mbi tokë e që ka ndikuar mbi njerëzimin. "Duke përjashtuar Shekspirin dhe Spinozën, nuk njoh ndonjë njeri tjetër, që ka ndikuar më shumë tek unë", do të shprehej Gëte.

Në kërkim të botës së fshehtë
Edvard Koinberg, ka lindur në vitin 1964 në Stokholm, në Suedi. Prej vitit 1989 ka punuar si fotograf i lirë dhe si dizajnues grafik, për gazeta, organizata të ndryshme e biznese. Viteve të fundit iu përkushtua tërësisht bimëve dhe parqeve, mbi të cilat ka realizuar disa ekspozita. Ekspozitat e tij janë të frymëzuara nga figura historike dhe nga veprat e tyre, si në rastin e ekspozitës dedikuar shkencëtarit të shek. XVII Olof Rudbec, apo dishepullit të Linneaus-it, Carl Peter Thunberg, i cili vizitoi Japoninë në vitin 1770. Një tjetër frymëzim ka qenë edhe tradita floreale suedeze, apo piktorët holandezë të shekullit XVII-XVIII. Por ekspozita më e famshme e tij është "Herbarium Amoris", mbi teorinë e seksualitetit së bimëve. E nisi fillimisht si një fotograf-koleksionist, që mblidhte fotografi bimësh, por më vonë, siç tregon ai vetë u mundua t'i afrohej "mbretërisë" së bimëve, për të sjellë teorinë e Linneaus-it në një formë bashkëkohore dhe sa më pranë asaj njerëzore.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›