E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kreu i Pronave, hetim për 50 ha

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria ngriti dje dyshime në adresë të ish-kryetarit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj për tjetërsim të 50 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës. Ish-zyrtari i Pronave u shkarkua nga detyra pak ditë më parë, ndërkaq sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, ndaj tij po zhvillohen hetime që në muajin shtator 2008. Kallëzimi penal që u bë shkak për hapjen e hetimeve mësohet se është bërë nga një qytetar në shtator të vitit të kaluar. Dosja është shqyrtuar nga Zyra Task-Force Antikorrupsion, e cila ka gjetur elementë të veprës penale dhe ka vendosur të fillojë hetimin. Për shkak të sipërfaqes së madhe të tokave me të cilat dyshohet se është abuzuar, por edhe për shkak të zyrtarëve dhe personave në hetim, dosja në fjalë ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve më të lartë të Prokurorisë së Tiranës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. "Objekti i procedimit penal janë abuzimet e dyshuara me një sipërfaqe toke prej 50 hektarësh në komunën Synej të Kavajës. Sipërfaqja e tokës ndodhet në zonë bregdetare dhe më parë mbi të ndodhej një nga bazat ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, akuzat penale për të cilat bën fjalë procedimi penal që po hetohet nga Njësia Task-Force, janë "shpërdorim detyre", "korrupsion pasiv" dhe "falsifikim i dokumenteve zyrtare".
Abuzimet me pronat
Rasti i truallit prej 50 hektarë në bregdetin e Kavajës është një nga rastet e abuzimeve me pronat, të cilat po hetohen nga prokuroria e Tiranës. Vendimi i kësaj të fundit për të shtrirë hetimet edhe mbi juristin Tunxh Vatnikaj mësohet se ka qenë edhe shkaku pse Qeveria vendosi shkarkimin e tij pak ditë më parë. Në vendimin e shkarkimit u renditën disa shkelje, që sipas prokurorisë përbëjnë çështje administrative. Grupi hetimor që po heton për ish-pronën ushtarake, tha se ish-kryetari i Agjencisë së Pronave është duke u hetuar për veprimet që ka kryer në procedurën e kalimit të pronës prej 50 hektarësh nga administrimi i Shtabit të Përgjithshëm në Pronësi të një familjeje, që deklarohet se është kompensuar. Sipas personave që kanë bërë kallëzim në prokurori, kalimi i pronësisë së tokës në fjalë është bërë në shkelje të procedurave dhe me falsifikim dokumentesh, ndërkohë, që prokuroria konfirmoi se pretendime të tilla ende nuk janë verifikuar përfundimisht. "Objekti i kallëzimit dhe verifikimet paraprake bëjnë fjalë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv si dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare po hetimi tenton të individualizojë përgjegjësinë dhe të verifikojë këto vepra penale", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit.

Abuzimi me pronat e ushtrisë, që u përdorën për kompensim

TIRANE - Shkrirja e dy reparteve ushtarake të ndodhura në zonën që njihet si "Gjiri i Gjeneralit" në bregdetin e Kavajës, krijoi një hapësirë të madhe toke, e cila kaloi në emër të shtetit. Pas dorëzimit nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes sipërfaqja e tokës ku ngriheshin ish-repartet ushtarake mbeti e lirë dhe më pas u vendos të përdorej për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas hetimeve të prokurorisë, mësohet se me sipërfaqen e konsiderueshme në fjalë, prej 50 hektarësh, sipas procedurës që po hetohet për abuzime, është kompensuar një familje e vetme. Në këtë formë Prokuroria dyshon se ndaj palës që ka përfituar pronën me anë të procedurës së kompensimit ka pasur favorizime. Megjithatë, një fakt i tillë po hetohet nga prokuroria, e cila deklaroi se të gjithë personat e përfshirë në hetim prezumohen të pafajshëm, derisa provat ndaj tyre nuk janë vlerësuar nga gjykata. Organi i akuzës në kryeqytet mësohet se ka regjistruar çështjen në hetim për tri vepra penale, që dyshohet se kanë kryer porse ende nuk ka asnjë vendim lidhur me pozitën penale të personave të dyshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›