E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës, bum konfliktesh, shqyrtohen 100 dosje civile në ditë

TIRANE – Plot 7000 dosje civile kanë nisur të shqyrtohen në gjykatën e kryeqytetit, që nga fillimi i këtij viti.

sipas burimeve nga ky institucion, kjo shifër, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është dyfish, pasi gjatë gjithë 2007-ës, në këtë gjykatë janë shqyrtuar 12 mijë dosje civile. Shifra 7 mijë dosje civile u bë e ditur nga sekretaria e gjykatës një javë më parë, kur kanë kaluar vetëm 100 ditë nga nisja e vitit 2008. E thënë ndryshe, për çdo ditë punë në këtë gjykatë janë depozituar rreth 100 dosje civile. Burime nga gjykata pohojnë se, pjesa me e madhe e këtyre çështjeve kanë palë shtetin dhe janë qytetarë të ndryshëm që paditin për shkak të pushimeve të padrejta nga puna, apo ata që kërkojnë dëmshpërblime për largimin nga puna. Pas kësaj, numër të konsiderueshëm zënë çështjet ndaj institucioneve shtetërore të Tatimeve, KESH, etj. Po kështu, gjatë këtij viti ka pasur rritje edhe të çështjeve penale dhe kërkesave të ndryshme të Prokurorisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Nga ana tjetër gjykata pohon se, shtimi i çështjeve në këtë institucion është shoqëruar me shkurtimin e katër sekretareve si dhe mos furnizimin e gjykatës me bazë materiale siç është letra, boja e printerëve dhe materiale të tjera kancelarie. Për shkak të ngarkesës, në këtë institucion kryetari Albert Meçe ka vendosur që një pjesë të gjyqtarëve, që për shumë vite kanë qenë përbërës të kolegjeve penale, tashmë të gjykojnë çështje civile. Nëse më parë çështjet civile u jepeshin atyre për të plotësuar ngarkesën e punës, tashmë ndodh e kundërta, pasi u jepen çështje penale për këtë qëllim. Gjykata e Tiranës, shpall mesatarisht çdo vit mbi 30 mijë vendime, duke pasur ngarkesën më të madhe të punës në vend, përsa i përket institucionit dhe gjyqtarëve. Sipas ligjeve në fuqi, kjo gjykatë ka ekskluzivitetin për shqyrtimin e disa lloje çështjesh. Ndërkohë, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me institucionet qendrore shtetërore detyrimisht shqyrtohen në kryeqytet. Po kështu në kryeqytet janë transferuar për shkak të sigurisë edhe mjaft çështje penale nga rrethe të ndryshme, ku mendohet se në gjykatat e rretheve mund të ushtrohen presione ndaj gjyqtarëve dhe për pasojë në to nuk mund të ketë objektivitet në gjykim.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›