E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arratia nga diktatura dhe jeta në Gjermani”

 

Jorgjeta Gjançi

Këto ditë të nxehta korriku është “mik” në shtëpinë e tij. Prej 18 vjetësh violinisti korçar Markeljan Koçibelli jeton në Gjermani dhe shëtit skenat e botës. Për prindërit, Behar e Krisanthi, që e kanë nxjerrë nga shtëpia fare të vogël me një çantë me veshje e libra shkolle, mbasi e përcollën për të studiuar muzikë që në klasën e shtatë, ardhja e djalit të vogël ju duket ëndërr. Ata tërë jetën kanë pasur mall për birin, që çau drejt majave të interpretimit të muzikës klasike, duke studiuar e punuar deri në vetsakrifikim. “Askush nuk të hap dyert nëse vëren që të mungon vullneti për të studiuar e punuar”, - thotë Markeliani dhe si në një film të bukur, shpalos jetën e tij jo të gjatë, vetëm 36- vjeçare, si instrumentist, pedagog në Berlin, por edhe familjar. Gjithçka që ka arritur deri sot e konsideron një fillim të mbarë, ndërsa për të ardhmen e tij ka plane të mëdha për koncerte, dirigjime e përgatitje të brezave të rinj të muzikantëve në Gjermani, shtete të ndryshme të Evropës, e pse jo edhe në Shqipëri.

I mbani mend fillimet tuaja në violinë?
Nuk mbaj mend shumë gjëra, sepse duhet të kem qenë i vogël, por më kanë treguar prindërit dhe dy vëllezërit e mi Renatoja e Aureli. Renatoja kishte një kitarë të vjetër, që shoqëronte këngët e serenatës korçare, kur mblidheshim në familje apo me shokët e tij. Unë, atëherë 3-4 vjeç, e kisha të ndaluar të prekja kitarën, ndaj merrja dy dërrasa dhe njërën e mbështesja në qafë e me tjetrën bëja sikur luaja në violinë. Të gjithë qeshnin, ndërsa babait i lindi dëshira që unë ta kisha një violinë të vërtetë, ndaj një ditë ma bleu, duke i dhënë kështu ëndrrës sime jetë. Vonë kam mësuar se sakrifica e prindërve të mi për këtë dhuratë ishte e madhe, ata për shkak të prejardhjes nga klasat e pasura, përndiqeshim nga regjimi dhe punonin punëtorë të thjeshtë me pagë të vogël. U miqësova shumë shpejt me violinën time. Akordet e para mi ka mësuar vëllai i madh. Kënaqesha, kur ai më pranonte që të luaja në violinë, aq sa mund të luaja dhe ai në kitarë. Kur mbusha 7 vjeç konkurrova në hollin e shkollës së muzikës në Korçë, për t’u pranuar aty. E fitova konkursin e fillova studimet, të cilat i vazhdoj ende në mënyrë individuale, sepse instrumenti dhe muzika që unë interpretoj nuk kanë fund. 
Kur filloi për ju jeta koncertale ?
E kam filluar herët, kur isha ende fëmijë në fillore e 8- vjeçare. Mbaj mend, u zhvilluan disa konkurse radhazi në shkallë kombëtare për instrumentistët e vegjël. Unë përfaqësoja Korçën dhe kjo kërkonte përgatitje serioze. I zhytur në botën e muzikës nuk vura re se nga juria më ndiqte me interes të veçantë maestro Zhani Ciko. Në fund të konkursit, ai i kërkoi tim eti që të më çonte të vazhdoja shkollën në Liceun “Jordan Misja”. Në atë kohë transferimi i një fëmije të klasës së 7-të për të vazhduar shkollën nga Korça në Tiranë, nuk ishte i lehtë, por babai im duke sakrifikuar edhe shëndetin e tij, (ai iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal jo të nevojshëm për të qëndruar me mua në Tiranë) arriti të më çelte dyert e Liceut Artistik. Këtë moment e konsideroj nga më të rëndësishmit, jo se në Liceun e Korçës nuk kishte mësues të mirë, por se në Tiranë punohej me standarde më të larta, që iu afroheshin atyre evropiane. Bashkë me virtuozët e vegjël dhamë koncerte në Greqi në vitin 1982, apo në festivalin e instrumentistëve të rinj në Prevezë, në 1985.   
Më tej filluat studimet e larta në Institutin e Arteve, por u detyruat t’i prisnit në mes...
Kjo kishte qenë ëndrra ime prej vitesh, konkurrova me sukses dhe fitova, po pas disa muajsh u detyrova t’i braktis studimet e të arratisem nga Shqipëria. Gjithçka ndodhi me një shpejtësi të rrufeshme. Isha pjesëmarrës i mbledhjes së famshme të organizuar në Institutin e Arteve, kur ne studentët të rebeluar kërkuam ndryshim të regjimit. Kur u shpërndamë dikush na tha se na kishin filmuar dhe shumë shpejt do të na arrestonin e burgosnin. I frikësuar thirra vëllain e dytë dhe së bashku u arratisëm nga sytë këmbët. Me vete më kujtohet që morëm dy çanta me ushqime dhe dy violina. Njërën nga violinat, që për ne ishin shumë të shtrenjta, në rast nevoje do ta shisnim, kurse me tjetrën unë do të vazhdoja të luaja nëpër koncerte. Më vonë mësuam se violinat tona gati nuk kishin vlerë fare. Nuk dinim gjuhë të huaj, nuk kishim as para. Kaluam në Jugosllavi, nëpër Lubjanë dhe pas disa muajsh përfunduam në Mynih të Gjermanisë.
Si arritët të depërtonit në botën artistike atje?
Edhe pse kisha studiuar 12 vjet instrumentin, atje isha fillestar. Mbi të gjitha nuk njihja gjuhën gjermane. Megjithatë e fillova me koncerte kishtare. Bashkëpunova me një këngëtare vendase dhe interpretimin tonë e shoqëronte një kor kishtar. Pas shumë provave dhamë koncertin në ditën e Krishtlindjeve. Pas shfaqjes dirigjenti më dorëzoi një zarf. E futa në xhep dhe pasi shëtita nëpër qytet disa orë, shkova në dhomën ku jetoja së bashku me vëllanë. U kujtova për zarfin dhe në gjysmë errësirën e natës, nuk doja të ndizja dritën se zgjoja vëllanë, e hapa. U befasova: të gjithë pjesëmarrësit e korit më uronin “Një vit të mbarë dhe një violinë të shëndetshme!”. Ata gjatë provave kishin kuptuar se violina ime nga përdorimi ishte pak e çarë dhe kjo ndihej në timbrin e saj. Pa më rënë në sy, secili në një zarf të vogël, bashkë me urimin kishte vënë edhe të holla me qëllim që unë të blija një violinë të re. U befasova, nuk po u besoja syve, nga kjo surprizë, që për mua ishte domethënëse dhe më bëri që t’i respektoj e ruaj miqësinë me ta edhe sot. 
Si ia dolët nga ana financiare fillimisht?
Një pyetje që kam kënaqësi të veçantë t’i përgjigjem. Unë u arratisa së bashku me vëllain tim Aurelin. Ishte ai që më inkurajoi që të vazhdoja të mësoja gjuhën e të përgatitesha për të konkurruar për të studiuar në instrumentin tim. Ndërsa vetë punonte me tre turne dhe kryente të gjitha shërbimet që na nevojiteshin, me qëllim që unë t’i përkushtohesha të ardhmes sime. Vetëm pas tre vjetësh, kur fitova studimet dhe fillova të siguroja bursë e të ardhura të tjera për jetesën time, ai u largua nga Gjermania e u kthye në Shqipëri për të vazhduar projektet e tij. Për çka bëri për mua i jam tërë jetën mirënjohës.
Para pesë vjetësh zgjodhët shoqen tuaj të jetës, një vajzë gjermane, e sot keni dy fëmijët...
Them se kam qenë me fat në zgjedhjen e bashkëshortes sime. Për gjermanët thuhet se janë të ftohtë, por mendoj se ata përpiqen që t’i njohin njerëzit nga të cilët rrethohen dhe kur binden për vlerat e tyre dinë të jenë të ngrohtë, miqësorë, të gjendur, të afërt, t’i mbështesin pa asnjë lloj interesi. Jeta në këtë vend më ka bindur për këto që them. Kështu ndodhi edhe me Michaelën. E kam njohur gjatë viteve të shkollës, pas shumë vitesh arritëm të përzgjidhnim njëri–tjetrin, shokë jete. Ajo interpreton në instrumentin e oboes dhe është soliste e parë në Filarmoninë e Berlinit.    
Suksesin tuaj, kujt ia dedikoni më shumë?
Së pari ia dedikoj babait tim, Beharit, i cili edhe pse nuk ishte artist, më ka mbështetur gjithë jetën. Një fëmijë sado i talentuar, nuk mund të arrijë asgjë pa mbështetjen e familjes. Prej tij kam trashëguar vullnetin për të punuar e për të sakrifikuar që të arrij qëllimin final. Së dyti do të veçoja maestro Zhani Cikon, që kur pa tek unë shkëndijën e talentit bëri çmos që të më drejtonte në jetën artistike. Për vite me radhë, ai mori në duart e tij drejtimin tim artistik.   
Po roli i nënës në jetën tuaj, cili ka qenë?
Jo se është nëna ime, po Krisanthi është një nënë e rrallë. Dashuria e saj për të tre ne fëmijët ka qenë ngrohtësi, dhembshuri, inkurajim në rrugët tona. Mbi të gjitha ajo ka ditur të na mbajë të bashkuar me njëri-tjetrin. Babi kërkonte që ne të punonim e mësonim shumë dhe ndodhte ta kërkonte këtë tej aftësive të moshës sonë. Ishte nëna ajo, që në çdo rast dinte të vendoste ekuilibrat në familje. Këtë rol ajo e luan shumë mirë edhe tani. Familja Koçibelli aktualisht është bërë e madhe. Të tre vëllezërit jemi martuar e kemi edhe fëmijë. Është Krisanthi, që ruan të paprekur nderimin e respektin për babanë, dhe këtë ka arritur t’ua imponojë të gjithëve në familje e jashtë saj, që do e respekton e para nuset e djemve, që përkëdhel si një gjyshe e rrallë nipërit e mbesat, që mbështet djemtë në çdo sipërmarrje. Kur ka kohë edhe pikturon, gjë që i ka shndërruar mjediset e restorantit e hotelit familjar në një ekspozitë mbresëlënëse. Fjala e saj e mençur ka bërë që mes nesh të ketë shumë respekt, dashuri e dhembshuri. Kjo është pasuria më e madhe që do të na lënë pas dy prindërit tanë të dashur e të nderuar.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›