E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, ‘përfundon’ tradita e duhanit në vendin me 22 milionë duhanpirës

 

Në Turqi ka hyrë në fuqi ligji kundër duhanit, pas traditës historike të këtij vendi të prodhimit dhe përdorimit të duhanit. Kështu shprehja ‘e pi duhanin si turk’ nuk do të ketë më vend të përdoret në shtete evropiane. Duhani është i ndaluar në të gjitha zonat e mbyllura publike, baret, kafetë dhe restorantet, madje edhe në kafenetë që kanë karrige jashtë në ambiente të hapura. Cilido që do të kapet duke pirë cigare do të gjobitet me 45 euro, ndërsa pronarët e kafeneve me 2,500 euro. Sipas “Deutche Welle”, Kryeministri Rexhep Tayip Erdogan, i njohur për luftën kundër duhanit, i ka instruktuar guvernatorët e vendit që të forcojnë ligjin. Ai ka kërkuar të ndëshkohen edhe zyrtarët që dështojnë në respektimin e ligjit. Turqia ka 22 milionë duhanpirës e megjithatë duket se ligji ka mbështetje popullore. Ligji pritet të hapë telashe për baret e restorantet në këtë vend, sidomos tani në sezon turistik. Kafenetë turke janë të njohura për retë e duhanit me aroma të ndryshme apo nargjile. Tradita rrjedh nëpër shekuj. Kufizimet e mëparshme të duhanit në disa zona janë zbatuar me pak rezistencë, madje ka pasur edhe disa protesta kryesisht nga pronarë kafenesh, por qeveria është e vendosur t’i përforcojë ato. Ligji kundër duhanit është një nga ligjet më të ashpra evropiane, që ka dështuar të zbatohet edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian. Greqia para pak  javësh e miratoi për herë të dytë ligjin, ndërsa në Shqipëri ka dështuar . 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›