Zvarranikët e insektet çojnë 40 vetë në spital
GJIROKASTER - Shtohen rastet e personave të pickuar nga zvarranikët në rajonin e Gjirokastrës. Vetëm gjatë 20 ditëve të fundit në spitalin e Gjirokastrës janë konstatuar rreth 40 raste me pickime nga gjarpërinjtë, sfurqet apo dhe merimangat e zeza. Sipas mjekut patolog në spitalin e Gjirokastrës, Laver Stroka, rastet e konstatuara nuk kanë qenë problematike për jetën, pasi ato janë hasur në fillimin e tyre. Sipas Strokës, personat më të goditur kanë qenë ata që punojnë në tokat bujqësore apo dhe në zona të tjera rurale. Afro 10 raste kanë qenë me pickime nga gjarpërinjtë, por vetë të dëmtuarit të mësuar me këto pickime, kanë evituar intoksikimin e gjakut nga helmi i gjarprit në momentin e parë. "Mjaft herë ne u kemi përsëritur këshillat tona këtyre personave që në momentin fillestar ata të pastrojnë plagën e pickimit me sapun dhe ujë me qëllim heqjen e helmit dhe më pas intervenimi mjekësor në spital është më i specializuar duke evituar në këtë mënyrë vdekjen", është shprehur Stroka për gazetën "Panorama". Ndërkaq, raste më të pakta janë konstatuar me pickimin e merimangave të zeza ku vetëm 5 të tilla kanë goditur gjatë kësaj periudhe. Edhe në këto raste, sipas Strokës, është operuar me asistencë urgjente mjekësore për të shmangur më të keqen. "Të paktë kanë qenë pacientët e shtruar në mbi 24 orë në spital, pasi gjithçka ka mundur të eliminohet brenda periudhës më të shkurtër kohore", shprehen specialistët e spitalit të Gjirokastrës. Ndërsa numrin më të madh të pickimeve e zënë sfurqet, kryesisht në zonën juglindore të fshatrave të Gjirokastrës. Pickimi i këtij zvarraniku nuk sjell vdekjen e njeriut, por vuajtje për orë të tëra nëse nuk merren masa të menjëhershme për mjekimin e plagëve. p.n