E Shtunë, 31 Tetor 2026

“EULEX-i negocion ‘kufirin’ mes Prishtinës e Beogradit”

 

Përfaqësues të misionit evropian për drejtësi dhe polici në Kosovë, EULEX, po bëjnë përpjekje për të arritur marrëveshje me Beogradin rreth çështjeve të interesit të përbashkët, përfshirë policinë, doganat dhe drejtësinë.Sipas BBC, një zëdhënës i EULEX-it ka pranuar se autoritetet në Prishtinë janë të njoftuara me përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve me Beogradin dhe nuk e mohoi faktin se misioni evropian po luan një rol të ndërmjetësit mes dy palëve. Brenda pak ditësh, një delegacion i EULEX-it do të qëndrojë në Beograd për të vazhduar bisedimet rreth doganave, por edhe policisë e drejtësisë, për arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbim të informatave në këto fusha. Beogradi zyrtar, që prej vizitës së shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj EULEX-it dhe ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim. Zyrtarët e misionit të BE-së për sundimin e ligjit insistojnë se çështjet për të cilat ndërmjetësojnë janë teknike. Një ndër to është menaxhimi i kufijve, çështje që i ka shkaktuar EULEX-it probleme të vazhdueshme në veri të Kosovës dhe që disa herë i ka nxitur zyrtarët e këtij misioni të bëjnë thirrje për zgjidhje politike të tyre. Sipas gazetës prishtinase “Koha ditore”, ekspertët e EULEX-it udhëtojnë rregullisht në Beograd, ku takohen me përfaqësuesit e Serbisë, ku kanë diskutuar fillimisht për çështje të cilat konsiderohen më pak politike, siç është fati i të pagjeturve. Gazeta ka theksuar se para vizitës së Solanës në Beograd dhe Prishtinë, çështja e doganave nuk ka qenë në rend dite të takimeve. Por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi ka mohuar se zhvillohen bisedime rreth doganave. “Nuk ka bisedime rreth kufijve dhe doganave. Nuk mund të ketë kurrfarë aktivitetesh me të cilat do të shkelej Kushtetuta e Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi Krasniqi. Një nga kushtet e liberalizmit të vizave së Serbisë është që deri në fund të vitit t’i vendosë pikat e përbashkëta doganore në kufirin me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›