E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahmir Hyka “betonohet” te Mainc 05

Fantazisti i Kombëtares shqiptare: “Nuk dua të lëviz nga Gjermania”. Menaxheri Kristian Haidel: “Është një alternativë më shumë për ne”

Dash Frashëri

Jahmir Hyka nuk do të lëvizë nga Mainc 05 në merkaton e janarit. Futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk do të huazohet në asnjë ekip dhe do të jetë pjesë e klubit të tij. Sipas asaj që shkruan gazeta gjermane “Allgemaine Zeitung”, kjo përkon edhe me dëshirën e 20-vjeçarit. “Unë i njoh tashmë konkurrentët. Besoj se mund të luaj”, - tha ish-futbollisti i Tiranës për gazetën gjermane gjatë një turneu në sallë. Autori i golit më të shpejtë me Kombëtaren shqiptare (në fitoren 2-0 kundër Lihtenshtejnit) beson se tashmë vështirësitë e fillimit i ka hedhur pas. Hyka u aktivizua vetëm tri ndeshje në takimet e fazës së parë. “Unë mbeta shumë i zhgënjyer në lidhje me mungesën e ndeshjeve. Kjo edhe për faktin e një dëmtimi gjatë ndeshjes kundër Hungarisë me Kombëtaren”, - thotë “Kleine Techniker” (tekniku i vogël) për median e njohur gjermane. “Tani unë di se çfarë më pret dhe jam i plotësisht i gatshëm në kondicionin fizik”. Por Hyka e di gjithashtu se për këtë vendos trajneri. “Vendos ai nëse unë do të luaj apo jo. Nga ana tjetër është e qartë se unë jam një i ri që duhet të luaj nëse dua të zhvillohem më tej”. Hyka së bashku me menaxherin e tij (Sokol Haxhia) bisedoi me menaxherin Kristian Hajdel dhe trajnerin Jorn Andersen për një huazim gjashtëmujor te një klub tjetër, por gjithnjë brenda Gjermanisë. “Të shkoja sërish në një vend nuk do të përmbushte asnjë qëllim të mëtejshëm timin”, - thotë Hyka. Para fillimit të sezonit për të interesoheshin dy ekipe konkurrente të Maincit në Bundesligën 2, Freiburg dhe TSV 1860 Munih, por të dyja klubet nuk kishin paratë e nevojshme për të blerë kartonin e shqiptarit. “Bundesliga 2 është objektivi im. Më pas të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, - shprehet Jahmiri, i cili më parë ka qenë edhe pjesë e Rozenborgut në Norvegji dhe Olimpiakosit në Greqi. Në Ligën e Tretë gjermane si një lojtar ekstra-komunitar, Hyka nuk lejohet të luajë. “Der Dribbler” (dribluesi) do të niset në Andaluzi të Spanjës për të marrë pjesë në fazën përgatitore të Maincit. Menaxheri Kristian Haidel e sqaron më shumë situatën: “Klubi nuk vendos në këtë rast asgjë. Ne nuk jemi duke kërkuar një ekip për të. Në asnjë mënyrë. Hyka vendos vetë për të ardhmen e tij. Dhe kur ai thotë se e pranon luftën e konkurrencën në fushë, kjo është një zgjedhje e duhur”. Menaxheri më pas vë vulën: “Hyka është një alternativë më shumë për ne”.

Igli Tare: “Skuadra duhet të shfryhet”

Igli Tare nuk ka asnjë dyshim. Te Lacio janë shumë lojtarë, të cilët e kalojnë kohën duke u ngrohur në diell. “Do të lëvizim në merkato vetëm për të larguar ndonjë lojtar, pasi grupi është shumë i fryrë”, - deklaroi drejtori Sportiv shqiptar i Lacios. “Duhet të kthehemi në Europë, pasi një shoqëri si kjo e Lacios duhet të luajë në këtë lloj skene”.

Legjionarët në “fjalëkryqin” e merkatos

Roma hodhi sytë sërish nga Erjon Bogdani. Sulmuesi shqiptar i Kievos mund të përdoret nga verdhekuqtë e Luciano Spaletit si pjesë e shkëmbimit me Stefano Okaka. Lajmin e ka dhënë drejtori Sportiv i Kievos, Xhovani Sartori, i cili bëri të ditur edhe tratativën e nisur. Kjo është hera e dytë që Roma interesohet për sulmuesin shqiptar, por gjatë merkatos së verës të vitit 2007 Bogdani zgjodhi huazimin te Livorno, ku për hir të së vërtetës nuk bëri një paraqitje në nivelin e pritur.
KAPLLANI - Edmond Kapllani nuk do të nxirret në listën e merkatos dimërore të Karlsruhes. Sulmuesi shqiptar, edhe pse kërkohej nga Nurembergu i Bundesligës 2, do të vazhdojë të luajë për klubin e tij historik në Gjermani. Dëmtimi i Xhoshua Kenedit dhe rikthimi i Xhovani Federikos ndryshuan edhe vendimin e drejtuesve të Karlsruhes. Kapllani ende është në kërkim të golit të parë sezonal në Bundesligën 1 (2 gola sezonin e kaluar).
TELI - Mbrojtësi Admir Teli ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij me klubin turk Haccettepe. Ish-futbollisti i Vllaznisë ishte pjesë e “trojkës” shkodrane së bashku me mesfushorin Gilman Lika e sulmuesin Xhevair Sukaj, të cilët u transferuan te klubi turk gjatë merkatos së verës. Edhe Sukaj është shprehur për një largim nga Haccettepe.
SALIHI- Hamdi Salihi është në fokusin e Austrisë së Vjenës. Sulmuesi shkodran është në muajt e fundit të kontratës me klubin e tij aktual SV Ried. Edhe Udineze duket e interesuar për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Pista tjetër e transferimit është në Turqi te Bursaspori.
BEQAJ - Arjan Beqaj e mbylli vitin 2008 me një tjetër çmim. Portieri i Anorthosis Famagusta është shpallur futbollisti më i mirë i huaj në Qipro. Çmimin e dha gazeta qipriote “O Fileftheros”. Beqaj së fundi kërkohet nga klubi i madh grek Olimpiakos.
AGOLLI - Ansi Agolli mund të transferohet në formë huazimi te klubi gjerman i Bundesligës 2, Greuther Furth. Mesfushori i majtë i Tiranës është zyrtarisht në pronësi të klubit finlandez VPS Vasa. Agolli, i cili ka luajtur edhe me FC Luzern e Neujshatel Ksamaks në kampionatin zviceran, pritet të nënshkruajë një kontratë 6-mujore me Greuther Furth.
XHAFAJ - Daniel Xhafaj ndodhet në Iran për të zhvilluar një provë disaditore me Estegal, kampion i sezonit të kaluar. Oferta e klubit nga kryeqyteti iranian është 300 mijë dollarë për dy vjet. Sulmuesi i Tiranës (4 gola gjatë këtij sezoni) ka luajtur më parë në Zvicër me Neujshatel Ksamaks. Te Tirana për dy sezone nënshkroi një kontratë prej 150 mijë dollarësh.
PLAKU - Sebino Plaku, golashënuesi më i mirë i Dinamos në pjesën e parë të sezonit (8 gola), ndodhet në Norvegji për të mbyllur përfundimisht problemet me HamKamin, klubin që zotëron edhe kartonin e tij. Dinamo kërkon të blejë zyrtarisht kartonin e tij. Plaku ka një kontratë 3-vjeçare me HamKamin.
ARBRI- Gersi Arbri mund të largohet drejt Turqisë. Mesfushori beratas i Lushnjës ka oferta nga dy klube të kategorisë së dytë turke, Rizespor dhe Kalvespor. Te Lushnja ndodhet edhe vëllai i tij, Polizoi Arbri, por edhe një emër tjetër i njohur i fisit të famshëm, Klodian Arbri.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›