Plagosja e 15-vjeçarit, pranga punonjësit
Aksidentimi i një adoleshenti, në një nga lojërat që kanë zaptuar pjesë të konsiderueshme të shëtitores bregdetare në Durrës, ka çuar në pranga punonjësin e lojës rrotulluese. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në lagjen nr. 1 të Durrësit në shëtitoren e njohur me emrin “Vollga”. 15-vjeçari J.Kambo nga Durrësi është shkëputur nga ndenjësja, ndërsa po rrotullohej dhe është përplasur duke u dëmtuar rëndë. Ai është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë me gjithë ndërhyrjen dhe asistencën e vazhdueshme mjekësore. Nën akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, shërbimet policore kanë bërë arrestimin e shtetasit Marius Fetahu, 21 vjeç, lindur e banues në plazhin e Durrësit, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë. Fetahu punonte në rolin e drejtimit dhe komandimit të pajisjes argëtuese për fëmijë e të rinj përmes rrotullimit, në të cilën mbeti i dëmtuar 15-vjeçari Kambo. Ky nuk është rasti i parë i fëmijëve dhe adoleshentëve që dëmtohen në lojërat e vendosura në shëtitoren bregdetare të Durrësit, të cilat funksionojnë jashtë çdo rregulli mbrojtës dhe kontrolli.
#