E Diel, 1 Nëntor 2026

Iku me makinën e marrë me qira, ndiqet penalisht italiani

Gino Concari dyshohet se mashtroi shoqërinë “Autovizion” sh.p.k., për automjetin tip “Fiat” me targa TR 1852 R

Forcat e Policisë së Tiranës filluar procedimin penal në gjendje të lirë për italianin Gino Concari, 49 vjeç, i lindur në Itali dhe me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri. Burime policore thanë se procedimi penal në ngarkim të tij, filloi pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shoqërisë “Autovizion” sh.p.k. automjetin tip “Fiat” me targa TR 1852 R, me qira, duke e pajisur me autorizim dhe leje edhe për qarkullim jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndërsa shoqëria e dhënies me qira të makinave priste kthimin e mjetit në datën e caktuar, italiani as që ka pyetur për këtë. Ai ishte zhdukur pa lënë adresë dhe drejtuesit e shoqërisë shqiptare iu drejtuan uniformave blu, ku dhe kanë denoncuar mashtrimin e italianit. Policia ka dërguar në prokurori kallëzimin për procedimin në gjendje të lirë të shtetasit të huaj dhe e ka shpallur atë person në kërkim. Sipas policisë, marrësi me qira i mjetit duhet të kishte kryer të paktën pagesën për ditët e qirasë, për ta bindur firmën që i ka huajtur mjetin se ai ishte serioz në marrëdhënien me ta. Sipas tyre, firma ka qenë në pritje edhe kur mendoi se nuk kishte më arsye të vonohej në denoncimin e të huajit mashtrues. Në denoncimin e kompanisë thuhet se italiani nuk u kishte dhënë përshtypjen e mashtruesit, por të një njeriu serioz dhe bashkëpunues. Kishte ardhur të qëndronte përkohësisht në vendin tonë dhe kishte deklaruar edhe vendbanimin me qira. Kur vonoi të kthente makinën huadhënësit nisën të shqetësohen, më shumë për atë që mund të kishte ndodhur me të huajin, sesa për mjetin që i kishin dhënë me qira. Kur nuk kanë mundur të kontaktojnë as me telefon me 49-vjeçarin, ata i janë drejtuar me denoncim policisë. Pas hetimit të kësaj çështjeje, materialet në ngarkim të Gino Concarit, 49 vjeç, i lindur në Itali dhe me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri, i kaluan Prokurorisë së Tiranës për konsumim të veprës penale të “mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›