Vidhen për skrap tubat e ujësjellësit
Kanë shkatërruar ujësjellësin e fshatit për të shitur tubat, ndalohen nga policia. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lleshaj të Komunës Poroiçan rreth 45 kilometra larg qytetit të Gramshit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë së Gramshit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i Alfred Kllogjërit, 31 vjeç, banues në fshatin Lleshaj, si dhe 45-vjeçarit Guxhali çekrezi nga i njëjti fshat. Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin në fshatin Lleshaj tuba uji që shërbenin për vaditje. Burimi zyrtar sqaron se për të kryer veprimin e tyre, kanë përdorur për prerjen e tubave dhe shkatërrimin e tyre, mjete të ndryshme si: bombola gazi dhe oksigjeni. Gjithashtu, si pasojë e shkatërrimit të tyre, në këtë fshat është ndërprerë edhe furnizimi me ujë për vaditje, ku janë vënë në alarm banorët e këtij fshati. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "vjedhje e mbetur në tentativë".
#