Mallakastër, sekuestrohen 118 kg kanabis sativa
Në pak ditë, Policia e Shtetit, goditje të fortë trafikut të drogës
Sekuestrohen 673 kg kanabis sativa dhe 2.6 kg kokainë
Policia e Fierit ka sekuestruar 118 kg hashash dhe ka arrestuar dy persona, të cilët po transportonin drogën. Pas operacionit të zhvilluar nga uniformat blu të këtij qyteti, në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Mithat Velaj dhe Bajram Minaj. Gjithashtu, nga agjentët u sekuestrua edhe një armë automatike e tip kallashnikov, që dy të ndaluarit e mbanin me vete. Sipas burimeve nga policia, droga u kap në Mallakastër në zonën e quajtur “Shkëmbi i kuq”. Dy personat e arrestuar janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Sipas burimeve të policisë, agjentët, pasi kishin marrë informacion për aktivitetin e dy të arrestuarve, ditën e djeshme organizuan një operacion për kapjen e tyre. Dy të arrestuarit e kishin fshehur atë në 3 bidonë plastikë dhe lënda narkotike ishte e shtypur. Më pas, punonjësit e policisë kryen kontrolle edhe në banesat e personave të ndaluar. Në shtëpinë e Bajram Minajt ata gjetën edhe një sasi tjetër të lëndës narkotike. Sipas policisë, në banesë ndodheshin edhe katër thasë, e dyshuar si drogë e llojit kanabis sativa. Të ndaluarit ishin të armatosur me një kallashnikov, i cili u sekuestrua nga agjentët në momentin e arrestimit. Nga hetimet paraprake rezulton se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë grup, që merrej me transportin e lëndëve narkotike. Megjithatë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Grupi hetimor që po merret me çështjen ka bllokuar telefonat e dy të arrestuarve dhe i ka dërguar në laborator për të transkriptuar bisedat e fundit telefonike, për të arritur në të tjerë emra të implikuar. Akuza që rëndon tashmë mbi dy të arrestuarit është ajo e “trafikut të lëndëve narkotike”.
Sekuestrimet e drogës
Në tri ditë, Policia e Shtetit i ka dhënë një goditje të fortë trafikut të lëndëve narkotike, ku ka sekuestruar një sasi prej 673 kg kanabis sativa, si dhe 2.6 kg kokainë. Në pranga, të akuzuar për trafik droge, kanë rënë shtatë persona. Ditën e diel, Krimet e Rënda në bashkëpunim me policinë e Gjirokastrës sekuestruan në Lazarat 500 kg hashash dhe arrestuan një 44-vjeçar dhe nipin e tij. Pas një ndjekjeje prej dy orësh, në pranga ra një 37-vjeçar nga Kruja dhe në makinën e tij u gjetën 2.6 kg kokainë. Ndërkohë që një ditë më pas, në pikën kufitare të Kakavijës u bllokuan 55 kg hashash, të vendosura në pjesën e tavanit të autobusit, të linjës Tiranë-Athinë dhe u ndaluan dy shoferët transportues të saj. Punonjësit e policisë dyshuan pasi panë që në autobusin që shkonte drejt Greqisë ishin vetëm katër pasagjerë. Kjo i shtyu ata të kryenin kontrollin, ku më pas gjetën edhe drogën. Kjo është goditja e katërt e policisë në tri ditë ndaj trafikut të lëndëve narkotike, duke qenë se droga ishte e destinuar në tregjet jashtë territorit shqiptar, në Greqi dhe Itali.
Janë sekuestruar në 3 ditë
500 kg hashash në Lazarat
2.6 kg kokainë në Krujë
55 kg hashash në Kakavijë
118 kg kanabis sativa në Mallakastër