Berisha njihet me projektet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Shqipërinë
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Hido Bishceviç, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Bishceviç i paraqiti kryeministrit Berisha projekt-programet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për periudhën në vijim, në fusha si energjia dhe infrastruktura, të cilat mbështeten nga Komisioni Europian dhe donatorë të rëndësishëm si, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Bishceviç u shpreh se po punohet për ndërtimin e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të BE-së, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe koordinatorëve të vendeve të rajonit, si edhe për shtrirjen e projekteve të këtij Këshilli në fusha si transporti rajonal, parandalimi dhe përballimi i emergjencave etj. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, u shpreh se është e rëndësishme që vendet e Europës Juglindore të vijojnë thellimin e bashkëpunimit, në veçanti me projekte konkrete në fusha të rëndësishme si ajo e energjisë, infrastrukturave të mëdha rajonale dhe europiane, të cilat do të konsolidojnë funksionimin e tregut të lirë të këtyre vendeve, si dhe do të forcojnë integrimin e tyre, duke i sjellë ato më pranë aspiratave për integrim euroatlantik. “Në këtë kontekst është e rëndësishme të bëjmë çdo përpjekje për liberalizimin e plotë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve në rajonin tonë”, - theksoi Berisha.
10 Dhjetor 2008