E Diel, 1 Nëntor 2026

ZMQ, sondazhi: Çështja e pazgjidhur e pronave dhe papunësia në rritje, shqetësimet e shqiptarëve



Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve bëri publike dje rezultatet e një sondazhi për korrupsionin të bërë në pesë qytete të vendit ku u anketuan mbi 1300 persona. Sipas sondazhit, shumica e të anketuarve kanë zgjedhur si probleme kryesore të jetës së tyre çështjen e pazgjidhur të pronave si dhe papunësinë në rritje. Nga ana tjetër, sondazhi nxori në pah se qytetarët shqiptarë e kanë të paqartë rolin e politikës në luftën antikorrupsion dhe nuk kanë besim se politika do ta luftojë këtë fenomen. Sondazhi tregoi se shqiptarët kanë besim të ulët te doganat, Agjencia e Pronave dhe Përmbarimi. Përveç reagimit qytetar lidhur me besimin, është testuar edhe perceptimi i korrupsionit. Rezultoi se ndër 1300 të anketuar, shumica prej tyre kanë zgjedhur si probleme kryesore të jetës së tyre çështjen e pazgjidhur të pronave, papunësinë në rritje dhe korrupsionin. Të pyetur se kush ka qenë faktori kryesor në luftën antikorrupsion, qytetarët kanë përzgjedhur median. Sipas tyre, mediat janë të vetmit që e luftojnë korrupsionin, ndërkohë që janë lënë pas politikanët. Të anketuarit nuk e kuptojnë rolin e politikës në luftën antikorrupsion, por e kanë të qartë se moszbatimi i ligjit është bërë pengesa kryesore në luftën antikorrupsion. Për çështjet që sjellin korrupsionin, 17% e të anektuarve kërkuan transparencë nga qeveria lidhur me fenomenin disavjeçar në Shqipëri kurse 38% u shprehën se efekti jepet vetëm përmes reagimit qytetar.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›