E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Koha për të kërkuar drejtësi për aferat korruptive të Berishës”

Kreu i PS-së, akuza qeverisë në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit. Rama: Të zbardhet e vërteta për Gërdecin, abuzimet me rrugën “Durrës-Kukës” dhe grabitjet e pronave

Shaban Sulçe

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ngritur tonin e akuzave ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Rama deklaroi se qeveria jo vetëm që dështoi të mbante premtimin e bërë shqiptarëve në zgjedhjet e 2005-s, por u zhyt edhe më shumë në afera korruptive. Kreu i PS-së akuzoi kryeministrin Berisha se është kthyer në sekser të biznesmenit të përfolur për korrupsion Damir Fazlliç. Rama tha se sot shqiptarët kërkojnë drejtësi për korrupsionin që u mori jetën 26 njerëzve në Gërdec, kërkojnë drejtësi për paratë e taksapaguesve që u abuzuan për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës” si dhe për grabitjen që u është bërë pronave të tyre.
Qeverisja
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se nuk mbajtën premtimin e tyre elektoral për të luftuar korrupsionin. Rama tha se të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se vota e tyre për PD-në në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 ka shkuar dëm, pasi qeverisja aktuale është përfshirë thellë në afera korruptive. “Sot është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për një qeveri duarsh të pastra e shohin më qartë se asnjëherë që vota e tyre ka shkuar dëm. Sot është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit e kuptojnë më qartë se asnjëherë që qeveria është njehsuar me korrupsionin. Sot është dita kur shqiptarët që votuan më 3 korrik 2005 për t'i dhënë Sali Berishës shansin që t'i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit e ndiejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë. Sot është dita kur shqiptarët kanë nevojë më shumë se asnjëherë për të kthyer faqen e zezë të keqqeverisjes së 17 vjetëve tranzicion, që me Sali Berishën e dytë kanë shënuar kulmin e shpërdorimit të votës e të besimit të tyre”, - tha Rama.
Skandalet
Shefi i selisë rozë renditi tre skandalet më të bujshme korruptive në të cilat rëndojnë akuza për implikim të kryeministrit Berisha dhe të anëtarëve të tjerë të qeverisë. Rama tha se sot të gjithë shqiptarët kërkojnë drejtësi për tragjedinë e Gërdecit, për abuzimet me fondet e ndërtimit të rrugës “Durrës-Kukës” si dhe për grabitjet e pronës së tyre. Rama tha se shqiptarët kërkojnë drejtësi për abuzimet marramendëse që kanë kryer një grusht pushtetarësh me sekserin serb Damir Fazlliç, i cili, sipas Ramës, ka kthyer në sekser personal kryeministrin Berisha. “Sot është dita kur shqiptarët kërkojnë me zë më të lartë se asnjëherë drejtësi për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit e për qindra familjet e dëmtuara nga vullkani i korrupsionit shtetëror që shpërtheu në Gërdec. Drejtësi për qindra miliona euro të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës, të cilat kjo qeveri, që ditën betohet për popullin e natën pasurohet për vete, do t'ia lërë borxh në kurriz familjeve shqiptare dhe fëmijëve të tyre. Sot është dita kur shqiptarët kërkojnë drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh me një sekser serb që ka kthyer në sekser të tijin kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda 3 vjetësh ka bërë në Shqipërinë tonë 50 milionë euro pa pasur asnjë aktivitet tjetër përveç bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa. Drejtësi për pronat që grabiten përditë në agjenci e zyra shtetërore ku sekserët e klanit qeveritar bëjnë kërdinë, duke zhveshur nga e drejta e pronës qoftë qytetarë të pafuqishëm të këtij shteti e qoftë shtetin e të gjithë qytetarëve dhe duke bërë pronarë të afërmit e klientët e pushtetit. Drejtësi për pyjet e lumenjtë që shkatërrohen përditë nga korrupsioni, drejtësi për tokën e bukës e ullishtet që betonohen përditë nga korrupsioni, drejtësi për plazhet e Shqipërisë që masakrohen përditë nga korrupsioni”, - vijoi Rama. Kreu i PS-së përfundoi deklaratën e tij duke thënë se ora e kthesës është gjithnjë e më e afërt dhe se në Shqipëri do të lindë një kapitull i ri i të ardhmes së saj.

Bogdani: “Rama ka vjedhur dy herë më shumë se sa kushton rruga Durrës-Kukës”

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka reaguar dje ndaj akuzave për korrupsion të bëra nga kreu i PS-së, Edi Rama. Ndërsa bëri të ditur se lufta kundër korrupsionit është prioritet i qeverisë “Berisha”, Bogdani akuzoi kreun e PS-së për korrupsion me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. “Edi Rama, i njohur ndryshe si zoti 15% apo zoti 2-katëshi, siç e quajnë rëndom në kryeqytet, kryebashkiaku që me 22 dokumentet që duhen për lejen e ndërtimit në Tiranë ka renditur veten dhe kryeqytetin në pozicionin e 176 në botë, apo më saktë në 5 kryeqytetet më të korruptuara të botës për lejet e ndërtimit. Ai doli para mediave, në një ligjëratë kakofonike, ku akuzoi dhe vetëm akuzoi, duke u kujtuar shqiptarëve shprehjen: ‘hajduti bërtet kapeni hajdutin’”. Sërish në rolin e kryehetuesit politik dhe armikut të egër të rrugës Durrës-Prishtinë, Rama përçartasi bëri fjalë për qindra milionë euro vjedhje dhe shpërdorim. Por, z. Rama harron që është njeriu që pastroi paratë e “Hakmarrjes për Drejtësi” me lejet e ndërtimit, politikani i vetëm që në dosjen e tij në prokurori ka kilometra të tëra telefonatash me serial-killer, përfshirë dhe afera intime. Rruga, të cilën ai e sulmon çdo ditë, ka kushtuar 2 herë më pak se sa ka vjedhur z. Rama dhe qeveritë socialiste në një vit, sipas raporteve të Bankës Botërore”, -është shprehur Bogdani.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›