E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi dhe Borkart nënshkruajnë, Gjermania 56 500 euro pajisje për repartin RENEA



TIRANË - Reparti special i RENEA-s pritet të pajiset me mjete të reja për përmirësimin dhe aftësimin e teknikave gjatë ndërhyrjeve dhe zgjidhjes së situatave të ndryshme me shkallë vështirësie të lartë, falë një ndihme prej 56 500 eurosh nga qeveria gjermane, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore. Kontrata e donacionit për repartin RENEA u nënshkrua dje në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit në Tiranë nga drejtori Ahmet Prençi dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Bernd Borkart. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Prençi, vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të qeverisë gjermane për Policinë shqiptare, në mënyrë direkte apo dhe nëpërmjet misionit policor PAMECA II, i cili dha kontributin kryesor në hartimin e ligjit të Policisë së Shtetit, aktualisht në zbatim të plotë. Z. Prençi vuri në dukje se fryt i këtij bashkëpunimi kanë qenë dhe një numër operacionesh të suksesshme të përbashkëta të zhvilluara ndërmjet Policisë shqiptare dhe Policisë Federale Gjermane. Për ambasadorin Borkart qeveria gjermane dhe qeveria shqiptare kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi. “Në kohën e sotme të globalizmit mbështetja që qeveria gjermane ofron për Policinë e Shtetit është me interes reciprok, pasi ne konsiderojmë se siguria e Shqipërisë është njëkohësisht dhe siguri e Gjermanisë”, - evidentoi z. Borkart. Ai theksoi ndër të tjera se Gjermania është një ndër mbështetëset e Shqipërisë në rrugën e saj për integrimin e plotë në BE.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›