E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet letra e Ilir Metës drejtuar Edi Ramës për Kodin Zgjedhor

Meta, Ramës: “Kodi i miratuar në Parlament përbën rrezik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Meta: “Jam i gatshëm të takohem me ju për të diskutuar për korrigjimet në Kod”

Shaban Sulçe

Zbardhet letra e kreut të LSI-së, Ilir Meta, në drejtim të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pasi deklaroi publikisht se do ta ftonte Ramën në një takim për korrigjimin e Kodit Zgjedhor, Meta e ka konkretizuar këtë deklaratë me një letër dërguar kryetarit të PS-së dy ditë më parë. Në këtë letër Meta e fton kreun e PS-së që të kontribuojë në korrigjimin e Kodit Zgjedhor, duke shfrytëzuar mundësinë e krijuar pas kthimit nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Meta thekson domosdoshmërinë e hartimit të një Kodi të ri Zgjedhor, që do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Letra

Në letrën drejtuar Ramës, Meta nënvizon rëndësinë e zgjedhjeve të vitit 2009 për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për progresin e mëtejshëm të saj dhe për plotësimin e detyrimeve institucionale në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian. “Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 janë me një rëndësi vendimtare për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, për progresin e saj të mëtejshëm zhvillimor, por edhe për të plotësuar detyrimet institucionale të vendit në procesin e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian. Realizimi me sukses i zgjedhjeve të ardhshme është një detyrim themelor i politikës dhe i çdo partie politike, është përgjegjësi e çdo politikani a drejtuesi politik. Me këtë detyrim dhe përgjegjësi, LSI-ja ka shprehur kundërshtimet e saj ndaj disa dispozitave të Kodit të ri Zgjedhor në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, dispozita që bien në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë për barazi dhe mundësi të barabarta të shtetasve, me rekomandimet e Raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2005, ku kërkohet “një administrim zgjedhor më pluralist dhe gjithëpërfshirës, që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë”, PD e PS, me nenin 7.6 të Dokumentit të Konferencës së Kopenhagenit për Dimensionin Human të OSBE-së, me Kodin e Etikës për Zgjedhje të Këshillit të Europës, pra me standardet e pranuara ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme. Kthimi i Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Parlament ka krijuar një mundësi për reflektim dhe një hapësirë për të riparuar disa defekte të këtij Kodi. Riparimi i këtyre defekteve do të vendosë standarde më të larta ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sidomos në drejtim të garantimit të një procesi zgjedhor të pakontestueshëm dhe ndërtimit të besimit të munguar midis palëve konkurruese. Kodi Zgjedhor, i cili krijon mundësinë e përcaktimit të peshës reale të partive politike nga qytetarët, bën që mundësia e bashkëpunimit të ardhshëm paszgjedhor të vlerësohet me realizëm”, - thekson në letrën e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Ftesa
Duke vijuar më tej në këtë letër, Meta thekson rrezikun që u kanoset zgjedhjeve në Shqipëri nga manipulimet e kryeministrit Sali Berisha. Kreu i LSI-së fton Ramën për t’u takuar dhe për të diskutuar rreth korrigjimit të Kodit të ri Zgjedhor, i cili do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Përpjekjet e Berishës për ta lënë riparimin e çështjeve të kontestuara krejtësisht në dorë të opozitës na ngarkon si parti opozitare me përgjegjësi edhe më të madhe për të sotmen dhe për të nesërmen e demokracisë dhe stabilitetit në vend. Sali Berisha përsëri mund të vërë dorë mbi zgjedhjet e vitit 2009 dhe votën e lirë të shqiptarëve, por edhe fitorja e pritshme e opozitës mund të komprometohet dhe kontestohet prej tij. Nesër nuk do të ketë asnjë justifikim dhe asnjë alibi për mosshfrytëzimin e kësaj mundësie të krijuar nga kthimi për rishqyrtim i Kodit. Prandaj, zoti kryetar i Partisë Socialiste, do t’ju kërkoj që të reflektoni mbi këtë mundësi, për t’i dhënë vendit një kod zgjedhor që prodhon zgjedhje të lira, të ndershme e të pakontestueshme. Unë jam i gatshëm të takohem me ju për të shqyrtuar konkretisht mundësitë që krijon një rast i tillë”, - përfundon letrën e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta, për kryetarin e PS-së, Edi Rama.

LSI-ja, letër edhe për kryeparlamentaren Topalli

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar gjithashtu një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Letra mban firmën e kreut të grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, i cili kërkon nga Topalli që t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare për të marrë një mendim më të specializuar për korrigjimet që i duhen bërë Kodit të ri Zgjedhor. “Duke marrë shkas nga kthimi për rishqyrtim të Projektligjit për Kodin e ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë nga ana e Parlamentit të Republikës, do të kërkonim mirëkuptimin Tuaj për të shfrytëzuar këtë moment kohor për t’i bërë Kodit në fjalë përmirësimet e nevojshme, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të pakontestueshme dhe në përputhje të plotë me standardet europiane. Në funksion të arritjes së një konsensusi maksimal për Kodin Zgjedhor, Ju kërkojmë që, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, t’u drejtoheni për një mendim të specializuar, në një kohë sa më të shkurtër, institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, si OSBE/ODIHR-it, Komisionit të Venecias dhe Misionit EURALIUS në Shqipëri. Ne gjykojmë se duhet bërë çdo përpjekje për të hapur më tej procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe thithjen e ekspertizës më të specializuar ndërkombëtare në këtë fushë”, - thuhet në letrën dërguar kryeparlamentares Topalli nga kreu i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›