E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentat, në derën e shtëpisë, tregtarit të kafesë

01/06/2005  Një person me maskë, qëllon me pistoletë dhe plagos Sokol Lekën

SARANDE - Qëllohet me plumb pistolete në trup një nga biznesmenët e parë të kafesë në Shqipëri. Për fat, plumbi vetëm e ka plagosur dhe aktualisht tregtari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Krimi është kryer pranë banesës së të plagosurit, momentin sapo ai ishte ndarë nga shokët e tij në një nga bar-kafetë e qytetit. Policia dyshon se ky ishte një atentat për ta eliminuar shtetasin Sokol Leka, i cili pas gati pesë orë operacion në spital ka shpëtuar nga vdekja.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur mesnatën midis të hënës e të martës, rreth orës 01.15 të ditës së djeshme, në Sarandë. Leka, i cili është banor në këtë qytet, sikurse zhvillon aktivitetin jo vetëm në këtë zonë, pasi ka mundur të flasë pak minuta pas atentatit, u ka treguar njerëzve të policisë dhe të afërmve të tij se nuk e ka njohur atentatorin, i cili ishte i maskuar. Ai ka treguar se autori i krimit e ka qëlluar nga afër dhe se vetëm fati e ka shpëtuar atë.

Sipas burimeve zyrtare nga komisariati i policisë Sarandë, Leka është plagosur nga një person i maskuar në momentin kur ishte duke parkuar automjetin e tij, pranë apartamentit, në lagjen 4 të qytetit. Ekspertët thanë se biznesmeni ka marrë vetëm një plumb në trup, pasi është shtrirë menjëherë në tokë, kurse autori është larguar me shpejtësi.

Ndihma

Krisma eshtë dëgjuar nga të afërmit e Lekës, të cilët menjëherë kanë dalë te porta e shtëpisë për të parë se çfarë ndodhi momentin që njeriu i tyre po hynte në banesë. Menjëherë 27-vjeçari është transportuar për në spitalin “Petro Nako“, ku ka marrë ndihmën e parë.

Sipas njoftimeve nga spitali, i riu ka mbërritur në orën 01.45. Në ato momente, ai ishte në gjendje të komunikonte me mjekët dhe me njerëzit e tij. Me pas nuk ka arritur të thotë asnjë fjalë. Operacioni i të plagosurit ka zgjatur më tepër se 4 orë.

Sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetën, por ende nuk është në gjendje të komunikojë me njerëzit, si pasojë e traumës së kaluar nga ngjarja e mësipërme.

Policia

Pas marrjes së njoftimit, policia lokale ka ngritur postblloqet për kapjen e autorit, por deri dje në orët e mbrëmjes asnjë i dyshuar nuk është marrë në qelitë e komisariatit.

Po hetohet me problemet apo ndonjë konflikt të mundshëm midis të plagosurit dhe ndonjë personi tjetër brenda qytetit.

Sipas një burimi jozyrtar thuhet se kohët e fundit Leka kishte hyrë në një biznes me një tjetër person të panjohur për njerëzit që ai qëndronte përditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›