E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset i arrestuari, SHKB zbarkon në komisariat

Autori i Lajmit: red.
Arratiset nga paraburgimi i Kavajës një i arrestuar për kanosje. Edmond Teferiçi është hedhur nga kati i dytë i komisariatit të Kavajës në kohën që do të merrej në pyetje në lidhje me ngjarjen. 30-vjeçari ka kërkuar të shkojë në tualet dhe ka shfrytëzuar rastin ku polici që e shoqëronte ka pranuar kërkesën e tij. Zona është rrethuar menjëherë nga forca të shumta policie, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë i mundur ndalimi i tij. Ndërkohë një grup nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është nisur drejt Kavajës për të zbardhur ngjarjen.
Arratisja
I kanë mjaftuar disa sekonda, sa polici i ka lejuar të kryejë nevojat personale, për t u arratisur nga komisariati i policisë. Një 30-vjeçar nga Kavaja, i akuzar për kanosje ka lënë komisariatin, duke u hedhur nga kati i dytë i ndërtesës. Arratisja ka ndodhur dje në Komisariatin e Policisë së Kavajës dhe ka për protagonist, 30-vjeçarin Edmond Teferiçi, lindur e banues në këtë qytet. Burime nga policia bënë të ditur se personi i arratisur nga mjediset e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Kavajës, ishte shoqëruar dje pasdite pas një sherri të ndodhur mes disa djemsh në qytetin e Kavajës dhe paraprakisht hetohej për akuzën e kanosjes për vdekje. I shoqëruari, ka kërkuar të shkojë në banjë, por duke përfituar nga mungesa e vëmendjes, ka çarë nëpër korridore dhe ka dalë në portën kryesore duke vrapuar dhe u zhdukur në drejtim të paditur.
Hetimet
Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur postblloqe, por ende nuk ka asnjë gjurmë të të zhdukurit.
Ndërkohë, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, konfirmuan se kanë nisur hetimet mbi ngjarjen dhe mundësinë e implikimit të personave që punojnë në komisariat.
Një ekip i SHKB, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, nga Tirana, i cili ka sekuestruar dosjen hetimore mbi Teferiçin si dhe po kryen investigim mbi dinamikën e ngjarjes, që nga shoqërimi dhe deri në arratinë dje në mesditë.

22 janar 2009
Dëshmitari i vrasjes së ish- deputetit të Partisë Demokratike arratiset nga burgu i Shënkollit. Petrit Çakrri ishte larguar për disa ditë me leje nga qelia për të qëndruar pranë të afërmve të tij, por nuk u kthye në qeli ditën e caktuar nga drejtuesit e burgut. Ai i largua fillimisht nga burgu dhe më pas nga Shqipëria, pasi pretendonte se ndaj tij nuk janë zbatuar ligjet dhe drejtësia. I arratisuri është dëshmitari i vrasjes së deputetit të ndjerë Azem Hajdari. Atij iu dha liria për pak ditë për sjellje të mirë, por nuk u kthye më në qeli.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›