E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Gjiri i Gjeneralit” drejt gjykatës me tetë të pandehur

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja për abuzimet me pronat në Gjirin e Gjeneralit pritet të shkojë në gjykatë. Burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se prokurori i çështjes dhe drejtuesit më të lartë të organit të akuzës i kanë hedhur firmën mbylljes së hetimeve dhe kërkesës për gjykimin e zyrtarëve të implikuar në aferat e tjetërsimit të pronës në Gjirin e Gjeneralit. Kërkesa për gjykim përfshin gjashtë zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një avokat dhe një biznesmen, të cilët në bashkëpunim kanë bërë tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 48 hektarësh tokë në afërsi të vendit të quajtur Gjiri i Gjeneralit. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, biznesmeni Alban Xhillari si dhe Fatos Gjuzi, Ali Aliaj, Petrit Kullolli, Gjergji Hyso, Alma Shehu dhe Erion Lama. Këta persona do të gjykohen për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim dokumentesh”. Hetimet e Prokurorisë kanë nisur që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe kanë përfunduar vetëm këtë javë me përgatitjen e kërkesës për gjykim. Të pandehurit, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e pronës së familjes Shijaku, në fshatin Synej të Kavajës dhe, pasi kanë tjetërsuar aktet e pronësisë, kanë bërë spostimin e sipërfaqes duke falsifikuar hartat. Prona në fjalë ka qenë afro dy kilometra larg bregut të detit, por ajo është mbivendosur në pronën shtetërore në Gjirin e Gjeneralit.
Kërkesa për gjykim
Kërkesa për gjykim u është vënë në dispozicion edhe të pandehurve dhe shumë shpejt ajo do të dërgohet për në Gjykatën e Tiranës. Si të akuzuar janë tetë persona që do të gjykohen nga një trup gjykues i caktuar me short prej gjykatës. Të tetë të pandehurit janë përballur me gjykatën edhe gjatë marrjes së masës së sigurisë. Gjatë paraqitjes së tyre në Prokurori, asnjë prej të akuzuarve nuk e ka pranuar fajësinë e tij duke pretenduar se nuk janë të përfshirë në këtë skandal. Hetuesit e çështjes shprehën bindjen se veprimet e tyre ishin të parregullta dhe dëmi llogaritej rreth 24 milionë euro. Nga provat e mësipërme hetuesit propozuan që masat e sigurisë të ishin "arrest në burg". Por ato janë zbehur nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, të cilët vendosën që masat e sigurisë ndaj të akuzuarve të ishin më të buta. U vendos për katër të pandehur masa "arrest shtëpie", ndërsa për biznesmenin Alban Xhillari Prokuroria kërkoi një garanci pasurore dhe detyrim paraqitjeje. Gjithashtu, organi i Prokurorisë kërkoi masën “detyrim paraqitjeje” edhe për ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj.

Kërkesa për gjykim përfshin gjashtë zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një avokat dhe një biznesmen.

Të pandehurit
Tunxh Vatnikaj
Alban Xhillari
Fatos Gjuzi
Ali Aliaj
Petrit Kullolli
Gjergji Hyso
Alma Shehu
Erion Lama
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›