E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet një doganier dhe një tregtar për kontrabandë

Autori i Lajmit: red.
Një doganier dhe një biznesmen kanë rënë në pranga dje, pasi dyshohet se kanë kryer kontrabandë mallrash. Policia e Gjirokastrës ka arrestuar sot 43-vjeçarin Agron Basha, banues në Lazarat, me detyrë doganier në degën e doganës Kakavijë dhe 37-vjeçarin Pëllumb Kaziu, banues në Tiranë. Burime nga policia bëjnë të ditur se arrestimi i tyre u bë për arsye se tregtari Kaziu ishte futur përmes pikës së Kakavijës me një sasi malli prej 16 televizorë “Plazma”, për të cilët nuk kishte paguar asnjë detyrim doganor. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Kaziu rezulton i dënuar edhe më parë për ”Vjedhje me armë”, pasi në vitin 1995 ka vjedhur një makinë dhe është dënuar 5 vjet.
Hetimet e para kanë treguar se biznesmeni televizorët i kishte blerë në Greqi dhe do t i tregtonte në Shqipëri. Por është ndaluar nga shërbimet e policisë së Gjirokastrës në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë dhe në momentin e ndalimit ky shtetas u është prezantuar punonjësve të policisë si oficer policie i Krimit Ekonomik në Tiranë dhe në automjetin e tij mbante një fenelinë me ngjyrë blu të ndezur mbi kabinë dhe një tabelë si ato që përdor policia rrugore për ndalimin e automjeteve.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për ndjekje të mëtejshme mbi veprat penale të “Kontrabandës me mallra të tjera”, “Përvetësim i titujve apo i detyrës shtetërore” dhe ”shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 174, 246 dhe 248 të Kodit Penal.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›