Arratiset kirurgu i akuzuar për korrupsion
Ardian Nelaj ndodhej në arrest shtëpie por Apeli e ka rikthyer në qeli. Arratisja është kryer një orë pas vendimit
Nelaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetim policëve që duhet ta ruanin në banesë
TIRANË- Arratiset nga banesa ku duhet të qëndronte në arrest shtëpie ish-kirurgu i Qendrës Spitalore të Burgut, Ardian Nelaj. Vendimi i Gjykatës së Apelit duhet ta rikthente kirurgun në qeli por kur policia ka shkuar në banesë, ai ishte zhdukur. Edhe pse tek dera e hyrjes duhet të ruhej nga polic, Nelaj ka mundur që të ikë. Lajmi është pohuar nga burime të prokurorisë, të cilat saktësuan se Nelaj ndodhej në arrest shtëpia që nga data tre nëntor të këtij viti, vetëm tre ditë pas arrestimit të tij.
Por ky vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga organi i akuzës, duke e cilësuar vendimin e lirimit të tij me “arrest shtëpie” si të papranueshëm dhe të rrezikshëm për vazhdimin e hetimit. Treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit mori në shqyrtim ankimin e prokurorisë, ku pas dëgjimit të pretendimeve të palëve vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të pranojë kërkesën e akuzës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. “Ky vendim i Gjykatës së Apelit është dhënë në orën 15:00 të pasdites ku ishte i pranishëm edhe kirurgu Nelaj që më pas është zhdukur. Në ora 16:00 vetëm, një orë pas vendimit dhe me vendimin e zbardhur në dorë të ndryshimit të masës së sigurisë, oficerët e policisë dhe ai një nga organi i akuzës kanë zbarkuar me një fugon të grupit të gatshëm pranë banesës së tij.Aty janë gjetur vetëm pjesëtarët e familjes së tij, të cilët nuk kishin dijeni se ku kishte ikur Ardian Nelaj për t’iu shmangur burgut,- thanë burimet e prokurorisë, -dyshohet se menjëherë pas seancës gjyqësore kirurgu Nelaj ka shfrytëzuar momentin e mos shoqërimit të tij nga policia për tu arratisur në drejtim të paditur.
Pas kontrollit të imtësishëm të banesës së tij, policia nuk ka mundur të gjejë as pasaportën e doktorit Nelaj, i cili mendohet se është larguar për jashtë Shqipërisë. Policia e Shtetit menjëherë pas ndryshimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit, e kanë vendosur kirurgun Ardian Nelaj në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi sipas kësaj liste, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike. Gjithashtu mësohet nga prokuroria, se kanë qenë efektivët e policisë të cilët nuk i kanë kushtuar shumë kujdes lëvizjeve të kirurgut Nelaj, i cili qëndronte në shtëpinë e tij me masën e sigurisë arrest me burg. “Shtetasi Ardian Nelaj, në kohën që qëndronte në banesën e tij me masën e sigurisë arrest shtëpie, duhej të ruhej nga efektivë të policisë së Komisariatit më të afërt me banesën e tij dhe në ditën e zhvillimit të procesit gjyqësor duhej të shoqërohej nga banesa në Gjykatë me efektivë të policisë, veprim ky që nuk është kryer nga Policia e Shtetit, që për organin e akuzës mban përgjegjësi edhe Drejtoria e Policisë së Tiranës për këtë rast”,- thanë burimet e prokurorisë. Sipas këtyre burimeve, në ditët në vazhdim do të verifikohen edhe përgjegjësitë penale të efektivëve të policisë të cilët nuk e kanë shoqëruar në Gjykatë të Apelit. Gjithashtu, në ditët në vazhdim mësohet se prokuroria e Tiranës do të nisë një relacion pranë zyrës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me gjyqtarët që kanë kryer veprimet procedurale karshi këtyre të arrestuarve.