Mungesa e energjisë lë Vlorën pa certifikata
Gjendjet civile duhet të prodhojnë vetëm certifikata të printuara por kompjuterët nuk punojnë pa drita
VLORË - Ndërsa janë publikuar oraret e ndërprerjeve të energjisë për shkak të punimeve që po kryhen në Vlorë në linjat 220 kw, këto kufizime kanë përfshirë edhe zona që kanë domosdoshmëri furnizimin me energji, për të kryer aktivitet normal. Një prej tyre është edhe zyra e gjendjes civile. Ndryshimi i punës në plotësimin e certifikatave ka bërë që energjia elektrike të jetë primare në punën e përditshme të zyrave të gjendjes civile. Urdhri i Ministrisë së Brendshme sanksionon tashmë se nuk do të ketë më certifikata të plotësuara me shkrim dore. Kjo nënkupton që të gjitha certifikatat që jepen, duhet të jenë të printuara. Urdhri përfshin zbatimin edhe kur nuk ka energji. Por ndërprerjet e energjisë të operatorit të sistemit të shpërndarjes kanë përfshirë edhe zyrat në fjalë. Prej orëve të mëngjesit, mungesa e energjisë ka pezulluar punën për nxjerrjen e certifikatave. Qytetarëve të interesuar u është komunikuar thjesht se nuk ka pasur energji. Nëse është dashur dokumenti, kjo ka qenë e pamundur, penalizuar nga mos furnizimi me energji. Sipas punonjëseve, është kontaktuar me strukturat përkatëse, por pa arritur dot të jepet një zgjidhje. Aktualisht kompjuterët furnizohen vetëm me energji, ndërsa nuk është bërë i mundur shfrytëzimi edhe i baterive apo alternativave të tjera. Në një kohë që certifikatat janë të kushtëzuara nga energjia, afrimi i dimrit dhe situata aspak e këndshme energjetike ka gjasa të cenojë edhe në ditë të ardhme shpërndarjen normale të certifikatave për qytetarët. Prej fillim javës OSSH-ja e Vlorës bëri me dije se do të ketë 8 orë ndërprerje në ditë.