Arratiset me fëmijën, kapet në Tiranë e kërkuara franceze
Ka mundur të mbërrijë deri në Shqipëri, por nuk ka mundur të çojë deri në fund synimin e saj, fshehjen e gjurmëve deri në destinacon, në Libi. Imen Djilli Gili, 35 vjeçe nga Franca, është zbuluar dy ditë më parë nga policia në kryeqytet. Lajmi është konfirmuar nga të dhëna zyrtare të kësaj të fundit një ditë më parë, sipas të cilave, kanë qenë agjentët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Interpol Tiranën, të cilët kanë zbuluar vendndodhjen e francezes në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Policia tha se gjithçka është bërë e mundur falë bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interpolit francez, e cila ka lajmëruar policinë tonë për një shtetase, e cila ishte shpallur në kërkim pasi ishte larguar së bashku me vajzën e vet në drejtim të panjohur. Pas kësaj, verifikimet e bëra në çdo pikë doganore të territorit shqiptar kanë sjellë në duart e policisë emrin e francezes.
Pas kapjes, kjo e fundit i është dorëzuar përfaqësuesve të ambasadës franceze në kryeqytet. Ndërkohë, nga burime policore, mësohet se 35-vjeçarja Gili kishte përdorur Shqipërinë si vend tranzit për të humbur gjurmët për të udhëtuar më pas në drejtim të vendlindjes së saj, Libisë.
Ende në rrethana të panjohura se përse 35-vjeçarja e kishte marrë me vete dhe fëmijën, duke u larguar pa adresë nga Franca, nga të dhëna policore është bërë me dije se Imen Gili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit, pasi akuzohet për nxjerrjen jashtë territorit të shtetit francez të fëmijës së saj, pa lejen e bashkëshortit. Sipas të dhënave, ka qenë ky i fundit i cili është paraqitur në polici e më pas në prokurorinë franceze për të kallëzuar zhdukjen e bashkëshortes së tij së bashku me vajzën nga shtëpia. Pas denoncimit të kryer nga ish-bashkëshorti i saj në Francë, kanë filluar menjëherë hetimet mbi gjetjen e saj dhe të fëmijës. Në këto kushte, Interpol Parisi ka nisur menjëherë të dhënat policive të vendeve ku ka marrëdhënie dypalëshe bashkëpunimi, ndër të cilat vetëm pak kohë më parë me vizitën e ministrit tonë të Brendshëm, Bujar Nishani në Francë, do të vendosej një gjë e tillë. Sakaq, të dhënat e marra para dy ditësh nga Interpol Tirana do të vinte menjëherë në lëvizje edhe Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, të cilët pas verifikimeve në dogana, kanë zbuluar hyrjen në Shqipëri të shtetases në kërkim së bashku me fëmijën e saj.
Pas kësaj, kontrollet kanë vijuar me imtësi në disa zona të kryeqytetit derisa mbrëmjen e së dielës, punonjësit e policisë e kanë pikasur në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Ndërkohë, pas hetimeve paraprake policia ka konfirmuar se e kërkuara nga shteti francez, ka mbërritur në Shqipëri së bashku me vajzën e saj rreth dy ditë më parë me synim për t’u nisur më pas në Libi, pranë vendit të lindjes së saj.
Pas kësaj, të dyja, nënë e bijë, u janë dorëzuar autoriteteve të ambasadës franceze të atashuar në Tiranë.