E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë; Reforma, lënë punën 65 naftëtarë, marrin shpërblimet

Plot 65 punonjës të ndërmarrjes së naftës në Gorisht të Vlorës janë shkarkuar nga puna me vendim të drejtorisë së kësaj ndërmarrjeje, ndërkohë që do të kenë mundësinë e marrjes së shpërblimeve monetare. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga drejtori i ndërmarrjes së naftës në Gorisht, Musa Xhuveli, i cili ka thënë se sot (dje), ka nisur reforma e cila nuk kthehet më pas. Janë kryer të gjitha procedurat sipas ligjit dhe njëkohësisht ajo u është përmbajtur kritereve të përcaktuara në ligj për këtë reformë. Sipas Xhuvelit, “duhet të kemi parasysh se kjo është reforma më e lehtë dhe punonjësit janë trajtuar financiarisht. Çdo punonjës në fund të dy vjetëve të trajtimit monetar nga ndërmarrja do të marrin mesatarisht një sasi prej 8-10 milionë lekë të vjetra”. Ndërkaq, Xhuveli ka sqaruar se të 65 punonjësit që kanë marrë sot shkarkimin për shkak të reformës, po sot në llogaritë e tyre bankare do të kalojnë shpërblimet nga 4-5 milionë lek të vjetra në varësi të kontributeve dhe viteve të punës. Po ashtu, ai sqaroi se këta punonjës për dy vjet rresht do të trajtohen nga shteti. Ndërmarrja ka parashikuar se secili punonjës një vit do të marrë rrogë të plotë, dhe një vit tjetër asistencë. Një numër prej 12 punonjësish ka kontestuar këtë vendim të drejtorisë së naftës dhe ndërmarrjes “Albpetrol”, ndërsa kanë vijuar me kërkesën e shpjegimeve të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›