E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Silaxhiç: Ballkani, jo më ndarje etnike

I gjithë Ballkani duhet të shohë drejt integrimit evropian dhe të qëndroj larg skenarëve për ndarje etnike. Këtë mendim shprehën dje në Tiranë, Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij boshnjak, Haris Silaxhiç, me të cilin rikonfirmoi marrëdhëniet e mira dypalëshe. Gjatë fjalimit të tij, Presidenti shqiptar deklaroi se i gjithë Ballkani duhet të shohë drejt integrimit në familjen evropiane. "Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe të vendet e tjera të rajonit duhet t'u largohen skenarëve retrospektive dhe ndarjeve etnike dhe të krijojnë një klimë intensive bashkëpunimi", - pohoi z. Topi. Edhe Silaxhiç nga ana e tij shprehu interesin e Bosnjës, për të pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe për të kontribuar në stabilitetin e Ballkanit. Pas bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve u bë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit. Pas konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti boshnjak u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, ndërkohë që rreth orës 20:30, Presidenti Topi shtroi një darkë zyrtare, për nder të Presidentit Silajxhiç dhe delegacionit të tij. Kurse sot në axhendën e tij janë disa takime të tjera dhe aktivitete të tjera, që nisin në 09:40 me vendosjen e kurorës nga Presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës në Varrezat e Dëshmorëve. Në ora 10:00 – 10:55 do të ketë takim me Sali Berishën, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Ora 11:00 do të takohet me Jozefina Topallin, kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Dhe në orën 12:20 do të takohet me Komunitetin e Bosnje dhe Hercegovinës që jeton në fshatin Borakaj. Rreth orës 15;00, delegacioni do të largohet nga Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›