E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika Shkurt

Shijak

Qëlloi me armë një shtetas, në kërkim 22-vjeçari

Forcat e policisë së Shijakut kanë shpallur në kërkim një 22-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një bashkëqytetarin e tij. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 22-vjeçari Alvaro Jashari, lindur dhe banues në Shijak, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 37-vjeçarit L. Rr., 37 vjeç, edhe ky banues në Shijak, i cili udhëtonte me automjetin tip "Ford" me targa DR 6958 C. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në lagjen "Kodër" të qytetit të vogël dhe fatmirësisht nga breshëria e armës janë thyer vetëm xhamat e automjetit. Nga hetimet paraprake, rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie, thanë burimet. 22-vjeçari u shpall në kërkim nga policia për veprat penale të "tentativës së vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake".

Fier

KESH-i, ndëshkime për faturistët që abuzojnë me faturat

Drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Fier, krahas ndëshkimit dhe penalizimit të abonentëve debitorë dhe abuzuesve, kanë ndëshkuar dhe punonjësit e KESH-it për abuzime apo mungese korrektësie në faturimin e energjisë. Gjatë muajit maj, dy faturues kanë lënë vendin e punës për shkak të faturimit formal të energjisë së abonentëve familjarë. Sipas burimeve zyrtare, qëllimi i këtyre penalizimeve është disiplinimi i abonentëve për të paguar energjinë që konsumojnë. Energjia është një mall tregu që ka një vlerë dhe ashtu siç paguhet çdo mall, duhet shlyer dhe ajo. Sipas të njëjtit burim, janë ballafaquar të gjitha vërejtjet dhe ankesat e qytetarëve dhe për çdo rast edhe më dëshirën e tyre është marrë vendimi penalizues për punonjësit e KESH-it . “Në rreth 10 raste, faturuesit kanë paguar nga xhepi sasinë e energjisë të hedhur tepër për abonentët (të pakonsumuar, por faturuar)”, bëjnë të ditur burimet. Sipas burimeve, përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritja e shkallës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit është prioritet i punës së DSHE-së.

Pretenca

Trafiku i drogës, kërkohen 21 vjet burg për Kurtin e Shabanajn

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 21 vjet burg për kokainën e mbërritur me avion nga SHBA-ja, përkatësisht 11 vjet burg për të pandehurin Altin Kurti dhe 10 vjet burg për të pandehurën Violeta Shabanaj. Dy të pandehurit akuzohen për trafikimin nga SHBA-ja drejt vendit tonë të 2.148 kg kokainë, e sekuestruar gjatë operacionit të koduar “Avion Ekspres”. Fillimisht për sasinë e drogës u arrestuan dhe akuzuan një punonjës policie, kushëriri i tij dhe e pandehura Shabanaj. Të pandehurit, sipas akuzës, kishin kohë që ishin nën vëzhgim dhe kanë rënë në duart e policisë vetëm në momentin e dorëzimit me pako të mallit. Operacioni u kodua “Avion Ekspres”, për shkak të mënyrës së transportit të kokainës, përherë në linjë ajrore dhe jo në linjë tokësore. Droga është nisur nga SHBA-ja nga i pandehuri Altin Kurti, ndërkohë që në Shqipëri do të merrej në dorëzim nga e pandehura Violeta Shabanaj, si dhe Armand nga Kuliçi dhe Astrit Kuliçi.

Hakmarrja

Dritan Hate e Gëzim Gjoni: Jemi të pafajshëm

Pas mbrojtjes së vëllezërve Orik e Leart Shyti, si dhe kushëririt të tyre, Altin Arapi, u ka ardhur radha të pandehurve Dritan Hate e Gëzim Gjoni të paraqesin pretendimet e tyre lidhur me akuzat e prokurorëve. Gjatë seancës së djeshme, dy të pandehurit e vetëm të “Hakmarrjes për Drejtësi” në seancën e djeshme kanë deklaruar se janë të pafajshëm dhe kërkuan pafajësi nga togat e zeza. I pandehuri Hate, për të cilin është kërkuar dënimi me 22 vjet burg, është shprehur se “e vetmja gjë që më lidh me “Hakmarrjen për Drejtësi” është se Nikolin Novruzin e kam burrin e motrës, por edhe me atë nuk bëhem për arsyet e mia personale”. Ndërsa i pandehuri tjetër, Gëzim Gjoni, për të cilin u kërkua 8 vjet burg, ka deklaruar se “u qëndroj atyre që kam thënë gjithmonë dhe e përsëris se jam i pafajshëm”. Pasi dy të pandehurit dhe avokatët e tyre kanë paraqitur pretendimet e fundit, trupi gjykues ka deklaruar se vendimi për ta do të jepet më 1 korrik.

Kërkesa

“Kam sjellje të mirë”, Blenard Fejzulla kërkon ulje dënimi

Një prej anëtarëve të “Kompas”, Blenard Fejzulla, i drejtohet Gjykatës së Tiranës për ulje dënimi. Kërkesa është duke u shqyrtuar nga togat e zeza të kësaj gjykate, të cilat presin që juristi i burgut të paraqesë karakteristikat për sjelljen e të dënuarit Fejzullau. Seanca e parë, e parashikuar për ditën e djeshme nuk është zhvilluar, pasi nuk janë paraqitur as kërkuesi Blenard Fejzulla dhe as juristi i burgut. Kërkesa e të dënuarit është duke u shqyrtuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, ndërkohë që seanca e ardhshme pritet të vijojë më 1 korrik. I dënuari Fejzulla kërkon të përfitojë uljen e 3 muajve dënim, me pretendimin për sjellje të mirë.

Kredia e keqe

Përfundon hetimi, mbërrin në gjykatë dosja e avokatit

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për avokatin Artan Gjuzi dhe dy të ndaluarit e tjerë, të akuzuar për mashtrim. Dosja ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Tiranës dhe në ditët në vazhdim pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin që do ta shqyrtojë. Të pandehurit, avokati Artan Gjuzi, sekseri Ardi Agolli e ish-oficerja e kredisë pranë bankës “Partneri Shqiptar i Minikredive”, Eli Agaj, akuzohen për mashtrim e korrupsion, pas denoncimeve të disa shtetasve të ndryshëm. Tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime të kundërligjshme për pajisje të personave të ndryshëm në disa qytete të vendit me kredi bankare pranë një banke të nivelit të dytë, në shumën që varionte nga 400 mijë lekë të reja e deri në 1.2 milion lekë të reja. Këto kredi, sipas hetimeve, janë nxjerrë nga të pandehurit në bashkëpunim me ish-oficeren e kredisë, 42-vjeçaren Eli Agaj, duke përdorur dokumente me të dhëna të rreme dhe në këmbim të nxjerrjes së kredive, personave kredimarrës dhe dorëzanës së kredive u kërkonin më pas si favor 10 për qind nga kredia që u jepnin. Këtë pjesë parash e ndanin në tre pjesë me avokatin Artan Gjuzi dhe sekserin Ardi Agolli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›