Arratiset në Itali "avokati i pronave", vodhi ish-pronarët
TIRANE - Një i vetëquajtur avokat, por që në fakt nuk është as më shumë e as më pak se një emigrant në Itali, ka mashtruar disa ish-pronarë në Tiranë, duke u premtuar se do t'u zgjidhte problemin e kthimit të pronave në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por pasi u ka marrë paratë, Genci Çeli është zhdukur, duke mos u kthyer më asnjë lloj përgjigje "klientëve" të tij. Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se historia e mashtrimit të 42-vjeçarit me origjinë nga Fieri, por që aktualisht jeton në Veletri të Romës, në Itali, është zbuluar nga një ish-pronar me inicialet T.V. Por ashtu si T.V., në zyrat e Antikrimit Ekonomik të Tiranës janë paraqitur edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë kallëzuar Genci Çelin për mashtrimin që u kishte bërë, duke u paraqitur si avokat dhe duke u marrë paratë për t'u zgjidhur çështjet e pronave. Sipas denoncuesve mashtrimi ishte kryer një vit më parë, kur Çeli jetonte në Tiranë, por vetëm pasi ka kaluar kaq kohë dhe ish-pronarët nuk kanë marrë as paratë e tyre dhe as nuk është zgjidhur çështja e pronës, e kanë ndjerë veten të mashtruar nga 42-vjeçari dhe i janë drejtuar policisë. Të njëjtat burime bënë të ditur se është verifikuar se "avokati" Genci Çeli ndodhet jashtë Shqipërisë, si emigrant në Itali dhe i është dërguar një informacion në lidhje me të policisë italiane, në mënyrë që ai të arrestohet sa më shpejt dhe të përgjigjet para drejtësisë shqiptare për veprën e mashtrimit, për të cilën akuzohet.