E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masë sigurie për Tunxh Vatnikajn

 

TIRANE

Tunxh Vatnikaj, ish-kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave refuzoi dje të paraqitej në Gjykatën e Tiranës për t'iu komunikuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje", vendosur në mungesë në ngarkim të tij rreth dy javë më parë. Para gjykatësit Altin Abdiu, që kishte vendosur këtë masë, u paraqit një avokat i pajisur me prokurë nga Vatnikaj, si dhe prokurori i çështjes, të cilët paraqitën argumentet e veta gjatë seancës që u zhvillua mëngjesin e djeshëm me dyer të mbyllura. Burime nga procesi pohojnë se mbrojtësi i caktuar nga Vatnikaj i kërkoi gjykatës heqjen e masës së sigurisë në ngarkim të klientit të tij, duke pretenduar se pas hetimeve paraprake dhe veprimeve të tjera hetimore të zhvilluara ndaj ish-kreut të AKKP-së, nuk janë gjetur prova. Po kështu, sipas tij, Prokuroria nuk ka paraqitur prova, por vetëm dyshime. Më tej, avokati mësohet se ka pretenduar se Vatnikaj nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe se ai nuk bëhej pengesë për zhvillimin e hetimeve. Ndërsa prokurori i çështjes pohoi se hetimet paraprake dhe ato të kryera gjatë dy javëve kanë bërë që të gjenden prova në ngarkim të ish-kreut të AKKP-së, si dhe dyshime të arsyeshme që ai të ketë kryer elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". Në fund të seancës prokurori kërkoi aprovimin e masës së sigurisë "detyrim paraqitjeje" për Vatnikajn, kërkesë e cila u pranua nga gjykatësi Altin Abdiu. Vatnikaj, disa muaj më parë braktisi detyrën e gjykatësit, pasi u emërua drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në fillim të këtij muaji Prokuroria e kryeqytetit pohoi se, njësia Task-Forcë në këtë institucion kishte nisur hetimet për falsifikimin e një sipërfaqeje toke rreth 48 hektarë në zonën e quajtur "Plazhi i Gjeneralit" në bregdetin e Golemit, Kavajë. Pas kësaj ai u shkarkua nga detyra, ndërsa u morën në përgjegjësi penale disa vartës së tij, një biznesmen kryeqytetas dhe një avokat. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, Vatnikaj akuzohet se është përfshirë në skandalin e zhvendosjes së kësaj sipërfaqeje prone nga Mali i Robit, ku ndodhet realisht në bregdetin e Golemit. Sipas Prokurorisë, përfshirja e Vatnikajt konsiston në faktin se në fund të dokumenteve të përpiluara nga vartësit, ndodhet nënshkrimi i tij. Prokuroria pohon gjithashtu se AKKP ka miratuar procedurën dhe ka vendosur kthimin e pronës, Hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren, duke zhvendosur sipërfaqen.        fa.ma.

Ish-zyrtari Tunxh Vatnikaj nën akuzë
Ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, akuzohet se ka kryer veprën penale "shpërdorim detyre" me procedurën e kthimit fizik të 48 hektarë tokë në zonën e "Plazhit të Gjeneralit" në komunën Synej të Kavajës. Sipas hetimeve të Prokurorisë, e gjithë praktika ka qenë e falsifikuar dhe e paligjshme. Për këtë shkak, Vatnikaj është marrë i pandehur dhe ndaj tij u caktua masa e sigurisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›