Itali, shqiptari 2 javë me hekur në bark pas operacionit
ITALI - Dhimbjet e forta në bark pas operacionit në stomak 74-vjeçarit shqiptar i vinin nga një pllakë metalike 40 centimetër e gjatë, që kirurgët e kishin harruar brenda plagës. Por derisa mjekët kuptuan gabimin trashanik, të moshuarit iu desh të mbante metalin për dy javë në bark. Ngjarja, sa e rëndë edhe komike, ka ndodhur në spitalin "San Luigji" të Torinos në Itali. I lënduari quhet Ferrik Hasaj, ndërsa ajo që e ka denoncuar rastin dhe që pretendon të ngrejë padi kundrejt mjekëve dhe spitalit është vajza e tij, Marie Hasaj. Bëhet e ditur se i moshuari shqiptar i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në fund të janarit në shtetin fqinj, pasi ishte i sëmurë me tumor. Dy javë më vonë është kuptuar që në sallën e operacionit, të moshuarit i ishte lënë në bark një instrument kirurgjik metali, i gjatë 40 centimetra, i cili shërben për të distancuar organet gjatë qepjes së plagës. "Për dy javë derisa spitali të zbulonte gabimin, babai im ka vuajtur tmerrësisht", është shprehur vajza e 74-vjeçarit për mediat italiane. Ndërsa për mjekët ngjarja u është dukur e pabesueshme. "Operacioni është mbyllur mirë, me largimin e plotë të tumorit. Kam lënë ndihmësin tim të bënte mbylljen, por as ai dhe as personi përgjegjës i mjeteve nuk e kanë kuptuar se ai instrument mungonte kur pacienti u largua nga salla", ka pohuar prof. Mario Nano, kirurgu që ka drejtuar ndërhyrjen. Marie Hasaj ka deklaruar se do t'i drejtohet strukturave ligjore për sqarimin e kësaj çështjeje. Ajo i akuzon mjekët jo vetëm për gabimin gjatë operacionit, por edhe për nënvleftësimin e gjendjes së babait të saj, i cili ankohej vazhdimisht për dhimbje të padurueshme. Sipas vajzës, nëse ajo do t'i kishte vlerësuar ankesat e të atit, gabimi do të ishte zbuluar më shpejt. Fakt ky që mohohet nga kirurgu Nano. "Babai i vajzës nuk është ankuar aspak në pavijon, madje ai ecte dhe ka dalë edhe pak në park", ka pohuar ai. Ndërsa për vajzën e të moshuarit, "mjekët edhe kanë gabuar, edhe gënjejnë". "Babai im ishte shumë keq në spital dhe ka vazhduar të jetë ashtu edhe pasi është larguar. 'Tamam sikur të kem një thikë në bark', me thoshte. I patën thënë që dhimbjet i vinin nga plaga", është shprehur ajo. Ferrik Hasaj ka lënë spitalin në 3 shkurt, për t'u kthyer më pas në 11, kur u zbulua "skandali". ar.ba