Bllokohen komunat, rrugët në vështirësi
Reshjet e dendura të borës kanë bllokuar Verilindjen e vendit. Komunat e thella malore janë izoluar plotësisht, ndërkohë që në akset nacionale ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Burime të drejtorisë së rrugëve në Kukës bëjnë të ditur se në Qafë Shllak dhe Qafë Mali trashësia e dëborës shkon deri në 40 cm, duke vështirësuar qarkullimin në këtë aks. Mësohet se policia rrugore ka ndaluar për momentin lëvizjen e automjeteve të rënda, pasi në shumë segmente të saj rruga nacionale Kukës-Tiranë është bërë njëkalimshe. Po ashtu, segmenti Qafë Mali-Fierzë ka qenë i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Ndërkaq, komunat e zonave të thella: Grykë çajë, Zapod, Arren, Shishtavec vazhdojnë të jenë të bllokuara, pasi trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 cm. çështja e rrugës së Shishtavecit, e sidomos e segmentit të Shtrezës, është bërë problem edhe nga pushteti vendor, i cili i ka dërguar shkresa të përsëritura dikasterit qendror të rrugëve. Burime të Komunës së Shishtavecit tregojnë se është kërkuar ndërtimi nga e para i segmentit të kësaj rruge, pasi me riparime të pjesshme nuk mund të sigurohet funksionimi i aksit rrugor. Ndërkaq, reshjet e dëborës që kanë përfshirë rajonin e Dibrës, kanë rikthyer izolimin për mjaft komuna e fshatra të thellë malorë. Komunat Lurë, Kala e Dodës, Selisht në Rrethin e Dibrës; Ostren, Trebisht, Martanesh në Bulqizë; dhe Macukull e Xibër në Rrethin e Matit, rezultojnë të jenë të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora, trashësia e së cilës shkon nga 30 deri në 50 centimetra. Ndërkohë, rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë ka funksionuar me pak vështirësi gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, por nga mesdita çdo gjë është rikthyer në normalitet. Me mjaft vështirësi ka funksionuar edhe rruga nacionale Peshkopi-Kukës. Ndërkaq, aksi nacional Bulqizë-Burrel ka pasur bllokime për shkak të rrëshqitjes së tokës në vendin e quajtur “Kthesa e Sanës”. Shkarje dherash ka pasur edhe në pjesë të tjera të kësaj rruge, sidomos në segmentin Qafa e Buallit-Klos etj. Ndërkaq dhe zonat e thella malore të Qarkut të Shkodrës, Vermoshi dhe Dukagjini, kanë pasur probleme. Komunat Shalë, Shosh, Fierzë, Iballë, mbeten të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës.
#